AKTUALITET, 12 Maj 2025, 18:13

PS del forcë e tretë në Vaun e Dejës/ Përfundon numërimi, ja si ndahet torta

PS del forcë e tretë në Vaun e Dejës/ Përfundon

Në Vaun e Dejës janë numëruar të gjitha kutitë me vota, 53 në total dhe çdo gjë është vendosur.

Forcë e parë në këtë bashki të Shkodrës është shpallur Partia Social-Demokrate me 5951 vota, ndërsa Partia Demokratike ka grumbulluar 4698.

Në vendin e tretë është renditur Partia Socialiste me 2482 vota. Vau i Dejës është bashkia e parë në të cilën fituese nuk është shpallur as Partia Demokratike e as Partia Socialiste.

Kujtojmë se në takimin e 4 majit në Shkodër, kryeministri Edi Rama i "tërhoqi veshin" kryebashkiakut të Vau Dejës, Kristian Shkreli, lidhur me angazhimin e këtij të fundit në fushtë.

Kryeministri Edi Rama iu drejtua Shkrelit me fjalët: "Kristian mos më luaj me dy porta Kristian! Mos më luaj me dy porta!".

Mesazhi i Ramës u pa si një mesazh i koduar për Tom Doshin, pasi edhe gjatë takimit përmbyllës elektoral në Shkodër, e "shogjetoi" duke thënë se "është një parti në këshillin bashkiak që s'po voton plazhet e Velipojës', ndërkohë që Vau i Dejës njihet edhe si bastion i Partisë Social Demokrate.

Kristian Shkreli, kryebashkiak i Vau Dejësit i fitoi zgjedhjet 2 vite më parë si kandidat i Partisë Socialiste.