TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Altin Abdiu u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 28 qershor 2022, pasi prej hetimit administrativ u konkludua se ai kishte kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë, si dhe kishte mungesa financiare. Ndërkohë, Abdiu mori vlerësim pozitiv për figurën dhe u çmua se kishte arritur nivel kualifikues në aspektin profesional.
Hetimi i Komisionit evidentoi probleme edhe për pasuritë e prindërve të tij, ku subjekti rezulton bashkëpronar. Subjekti deklaroi gjatë seancës dëgjimore më 24 qershor, se pasuritë e paluajtshme ku rezulton bashkëpronar janë krijuar prej prindërve dhe se veprimet juridike janë kryer nga i ati, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu.
Në vendimin e arsyetuar të KPK thuhet se gjyqtari Altin Abdiu ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për një apartament me sipërfaqe 110 m2 në Tiranë dhe për një vilë dy kate në një fshat turistik në Golem të Kavajës.
Po ashtu, konkludohet se subjekti ka pasur mungesë të burimeve financiare për blerjen e dy automjeteve dhe çeljen e një depozite në shumën 20 mijë euro.
Deklarime kontradiktore të qëllimta
Si burime krijimi të apartamentit me sipërfaqe 110 m2 në Tiranë, subjekti ka deklaruar një marrëveshje shkëmbimi mes familjes së tij dhe shoqërisë ndërtuese, ku është dakordësuar që dy apartamente që zotëronte familja Abdiu në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë me sipërfaqe 114.3 m2, do të shkëmbeheshin me dy të reja që ishin ndërtuar prej shoqërisë me sipërfaqe totale 200 m2.
Abdiu ka shpjeguar se apartamentet e shkëmbyera kanë si origjinë një banesë të përfituar nëpërmjet privatizimit në vitin 1993 dhe një shtesë pallati të vitit 1999. Sipas subjektit, ai në cilësinë e fëmijës madhor dhe prindërit kanë zotëruar nga 3/10 pjesë takuese, ndërsa motra 1/3 pjesë. Po ashtu, Abdiu ka shpjeguar se më pas kjo banesë është ndarë në dy apartamente.
Gjyqtari Abdiu ka deklaruar se shkëmbimi është dakordësuar me anë të një deklarate noteriale të vitit 2002, ku shënohej se kontrata e shkëmbimit midis këtyre pronave do të bëhej menjëherë pas regjistrimit të kullës ku gjenden dy apartamentet e reja, veprim që nuk është realizuar.
Nisur nga fakti se babai i Abdiut ka qenë subjekt deklarues, KPK ka verifikuar edhe deklaratat e depozituara prej tij në ILDKPKI. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu ka deklaruar në vitin 2004 se zotëron 50% të pasurisë së një apartamenti me sipërfaqe 95 m2, me vlerë 4 milionë lekë. Ai ka sqaruar në deklaratë se burim i apartamenteve që ai dhe i biri zotërojnë, ishte shkëmbimi me dy banesat e mëparshme.
Për diferencën e sipërfaqes mes pasurive, ka deklaruar se është likuiduar me një kredi dhe me kursimet e tyre nga pagat. Nga hetimi i KPK ka rezultuar se në vitin 2001 është marrë kredi në shumën 2.5 milionë lekë, që përfituar bazuar në një vendim qeverie “Për trajtimin me strehim të funksionarëve politikë dhe nëpunësve civilë të administratës së lartë shtetërore”. Si kolateral për kredinë që është shlyer deri në vitin 2012, është vendosur apartamenti në pronësi të familjes Abdiu, i deklaruar se është shkëmbyer me banesat e reja në vitin 2002.
Komisioni ka konstatuar pasaktësi në mënyrën e deklarimit të burimit të dy apartamenteve të reja, pasi nga dokumentet ka rezultuar si burim krijimi apartamenti i vendosur si kolateral për kredinë, kjo e fundit dhe kursimet familjare.
Ndërkohë, ka rezultuar se dy apartamentet e deklaruara si të shkëmbyera, figurojnë ende në pronësi të familjes Abdiu. “Komisioni vëren se të paktën deri në janar të vitit 2012, në rrethana hipotetike, vetë pasuria e familjarëve Abdiu nuk mund të ishte objekt kontrate shkëmbimi, në kushtet kur mbi të ishte vendosur barrë hipotekore për sigurim kredie”, vlerëson KPK.
Po ashtu, Komisioni konstaton se veç pagesës së shumës së marrë kredi, babai i subjektit ka paguar 4.1 milionë lekë në vitin 2000 për blerjen e apartamentit, ku të dyja këto shuma konsiderohen të përafërta me vlerën e diferencës së sipërfaqes mes pronave të deklaruara si të shkëmbyera.
Pretendimi i subjektit se babai nuk e ka kryer pagesën 4.1 milionë lekë, por se është përcaktuar në kontratë me qëllim përfitimin e kredisë, vlerësohet deklarativ dhe i paprovuar nga Komisioni. “Për më tepër, nuk rezulton që kjo kontratë sipërmarrjeje të jetë revokuar apo të jetë pasuar nga ndonjë dokument tjetër i nënshkruar mes palëve, ku të qartësohej dhe saktësohej ecuria e ndryshme e kësaj marrëdhënieje”, citohet në vendim.
Nisur nga këto të dhëna, Komisioni ka ngritur dyshime mbi vërtetësinë e marrëdhënies së shkëmbimit.
Në përfundim, trupi gjykues i vlerëson kontradiktore shpjegimet e gjyqtarit Abdiu lidhur me mënyrën e përfitimit dhe burimet e këtyre dy apartamenteve. Nisur nga fakti se deklarimet e ndryshme kanë qenë të vazhdueshme, Komisioni arrin në përfundimin se veprimet dhe deklarimet e Avdiut kanë pasur si qëllim bërjen e pamundur të verifikimit të mënyrës së përfitimit dhe burimit real të krijimit të këtyre pasurive.
Vila në Golem
Gjyqtari Abdiu është përballur me barrë prove për një vilë me dy kate në një fshat turistik në Golem, ku megjithëse ai gëzon 1/3-ën pjesë takuese, pretendon se nuk ka asnjë kontribut në krijimin e kësaj pasurie të blerë nga prindërit e tij. Edhe në këtë rast, KPK konstaton deklarime kontradiktore të subjektit lidhur me mënyrën e përfitimit të pasurisë dhe për burimin.
Në deklaratën fillestare, subjekti ka deklaruar si burim krijimi të vilës të ardhurat e përfituara nga një apartament në Golem dhe nga kursimet vjetore. Nga hetimi ka rezultuar se Abdiu nuk ka pasur në bashkëpronësi pasuri të llojit apartament, ashtu si ka shënuar në deklaratën fillestare.
Ndërsa në deklaratën e 2004-ës ka shënuar se ai dhe prindërit e tij, i kanë blerë pa dokumente pronësie kushëririt N.H., gjysmën e pjesëve takuese të një vile në Golem që kishin në bashkëpronësi me të, kundrejt vlerës 4 milionë lekë. Abdiu ka sqaruar se zotëron 4/12 pjesë takuese të gjithë objektit, të blerë me të ardhurat e prindërve.
Në vijim, në deklaratën “veting” subjekti ka shpjeguar se kjo pasuri është krijuar nëpërmjet shkëmbimit me një pasuri tjetër dhe pagesës së shumës prej 4 milionë lekë në favor të shtetasit N.H., me burim të ardhurat e prindërve të tij, përfshi edhe kredinë në shumën 2.5 milionë lekë të marrë në vitin 2001. Por, nga hetimi ka rezultuar se kredia është kaluar plotësisht në fuknsion të kontratës së porosisë, për blerjen e apartamentit në Tiranë.
Në përgjigje të pyetësorevë të dërguar nga Komisioni, subjekti ka ndryshuar qëndrim duke deklaruar si burim të blerjes së kësaj pasurie dhe shumën 40 mijë USD, sipas tij të përfituar nga nëna prej kushëririt të babait N.H, si rezultat i shitjes së pjesës së saj takuese në një vilë dykatëshe.
Me anë të një deklarate të vitit 2022, nëna e subjektit pretendon se nga viti 2000, me kushëririn e bashkëshortit, shtetasin kosovar N.H, kanë blerë një banesë dy katëshe në një fshat turistik në Golem. Sipas saj, pas një viti kanë rënë dakord që pjesën e takuese t’ia shiste kushëririt të bashkëshortit për shumën 40 mijë USD, pasi kishte arritur marrëveshje për të blerë një tjetër vilë, atë që posedon edhe aktualisht.
Në përmbledhje të këtyre deklarimeve, Komisioni konstaton se subjekti pretendon se fillimisht, në vitin 2004, prindërit e tij i kanë blerë shtetasit N.H. pjesën që ai zotëronte tek një vilë në bashkëpronësi me nënën dhe se në vijim, në vitin 2005, prindërve u është kthyer mbrapsht kjo shumë dhe se u është paguar edhe vlera prej 40 mijë USD kushëriri, pasi hoqën dorë nga kjo pasuri.
Por, sipas aktit të kolaudimit, ka rezultuar se financues të kësaj pasurie ishin nëna e subjektit dhe shoqëria ndërtuese, ndërsa kushëriri i babait të subjektit, shtetasi N.H, nuk figuron si i tillë. Nga ana tjetër, nuk revokuar kontrata e porosisë e lidhur me shoqërinë ndërtuese, si edhe nuk ekziston asnjë dokument shkresor në referim të të cilit nëna e subjektit të ketë hequr dorë nga të drejtat reale të saj mbi vilën në fjalë.
Bazuar në këto rrethana, trupi gjykues ngre dyshime se edhe vila e porositur në fillim për të cilën pretendohet se i ka kaluar kushëririt të babait, është në posedim të familjarëve të subjektit të rivlerësimit. Gjithsesi, Komisioni vëren se kjo është një pasuri që nuk lidhet me subjektin e rivlerësimit, por shton se hetimi i kryer për të ka pasur lidhje me vërtetimin e provueshmërisë së deklarimeve të bëra mbi të ardhurat e përfituara prej familjarëve të tij si rezultat i heqjes dorë nga kontrata e porosisë.
Megjithëse subjekti ka rezultuar si palë blerëse në kontratën e shitblerjes së vilës që disponohet aktualisht nga familja Abdiu, vlera e pretenduar se është paguar nga prindërit është konsideruar si dhurim në favor të subjektit. Për rrjedhojë, prindërit janë trajtuar në cilësinë e personave të tjerë të lidhur dhe është kërkuar justifikimi i burimeve të ligjshme për blerjen e vilës në shumën 8 milionë lekë.
Komisioni i vlerëson të pabazuar pretendimit e subjektit, se analiza financiare e prindërve duhet të kufizohet vetëm në vlerën e pasurisë së dhuruar në favor të tij.
“Në kushtet kur, për pasurinë e parë të vlerësuar nga Komisioni, apartamentin në Tiranë, rezulton të ishte e pamundur kryerja e një analize të mirëfilltë financiare,[…], duket i tepërt ky pretendim i subjektit dhe vendosja e prindërve të tij si mburojë për përfitimin e çdo pasurie të paluajtshme mbi të cilën ai disponon të drejta reale/pronësie”, vlerëson trupi gjykues dhe nga analiza financiare është konkluduar pamundësi e prindërve të subjekit për investimin në vilën në Golem.
Nga analiza financiare për periudhën 2003-2016, janë konstatuar balanca negative në disa vite, në total në vlerën 3.9 milionë lekë./BIRN