AKTUALITET, 1 Tetor 2022, 12:45

Ngadalëson ekonomia/ Në tre mujorin e dytë u rrit me 2,2 përqind

Ngadalëson ekonomia/ Në tre mujorin e dytë u rrit me 2,2

Ekonomia shqiptarë ka frenuar ritmet e rritjes në tremujorin e dytë të viti duke reflektuar efektet e krizës së çmimeve që ka përfshirë globin.

Sipas Institutit të Statistikave ekonomia u rrit vetëm me 2.2% përgjatë kësaj periudhe, duke u ngadalësuar në raport me një tremujor më parë kur ky tregues ishte 5.9%.

Degët që kanë dhënë kontribut pozitiv në ecurinë e ekonomisë këtë periudhë janë tregtia e transporti, aktivitetet e pasurive të paluajtshme duke mos ndalur rritjen si dhe aktivitetet financiare të sigurimit.

Ndërsa ndërtimi nga ana tjetër ka frenuar rritjen duke kontribuar negativisht në ekonomi këtë tremujor, sëbashku me industrinë nxjerrëse dhe përpunuese.

Shtrenjtimi i fortë i çmimeve veçanërisht pas luftës në Ukrainë ka prekur buxhetet e qytetarëve duke bërë që të ulin shpenzimet për aktivitetet argëtuese si dhe aktivitete të tjera shërbimi, pasi statistikat flasin për tkurrje të tyre në tremujorin e dytë.

Sinjale pozitive vijnë edhe nga bujqësia, një ndër sektorët më me peshë në ekonomi dhe në punësim. Megjithatë, sipas INSTAT ritmet e rritjes së kësaj dege të ekonomisë kanë qenë më të moderuara në raport me sektorët e tjerë si real estate apo aktivitetet e tregtisë e shërbimit.

Përgjatë tremujorit të dytë, konsumi final i popullatës që përbën edhe peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi shënoi rënie në raport me një tremujor më parë duke pasqyruar edhe goditjen e shtrenjtimit të çmimeve për mallra e shërbime.

Rënie po ashtu shënoi edhe konsumi final i qeverisë, që duket se është treguar më e moderuar në shpenzime këtë periudhë./ TCH