AKTUALITET, 6 Prill 2023, 18:37

Nga deklarimi i rremë te fshehja e pasurisë, KPK shkarkon gjyqtarin e Korçës, Besnik Shehu

Nga deklarimi i rremë te fshehja e pasurisë, KPK shkarkon gjyqtarin e

Gjyqtari i Korçës, Besnik Shehu nuk e ka kaluar vettingun. Mësohet se KPK ka shkarkuar sot nga detyra Shehun, pasi ky i fundit akuzohet se ka bërë deklarim të rremë dhe se ka fshehur pasurinë.

Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Gjatë shpalljes së vendimit, kryesuesi Hamitaj sqaroi se nuk ishte pranuar kërkesa e subjektit për çeljen e hetimit administrativ për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Ndërkohë gjatë seancës dëgjimore më 3 prill, Shehu dha shpjegime lidhur me barrën e provës për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin ishte përmbyllur hetimi administrativ paraprak. Komisioni konstatoi bilanc negativ në vlerën 12.3 milionë lekë për pasurinë e gjyqtarit Shehu, si dhe ngriti dyshime për një transaksion fiktiv me qëllim justifikimin e burimeve të ligjshme në krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve.

Shehu pretendoi se me provat dhe shpjegimet e paraqitura e kishte përmbysur barrën e provës dhe bilancin negativ përgjatë viteve dhe kërkoi çeljen e hetimit në dy kriteret e tjerë të rivlerësimit kalimtar, kërkesë që u rrëzua. Shehu e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.