AKTUALITET, 6 Prill 2023, 16:42

“Transporti falas, 50 mijë lekë në muaj kursim për familjet”, Këlliçi: Prona është e shenjtë

“Transporti falas, 50 mijë lekë në muaj kursim për

Kandidati i koalicionit 'Bashkë Fitojmë' për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka vijuar të prezantojë programin për drejtimin e kryeqytetit pas zgjedhjeve lokale të 14 majit. Me banorët e Njësisë Nr.3, konkretisht në zonën e “Kodrës së Priftit”, Belind Këlliçi i ka dhënë përgjigje shqetësimit të qytetarëve për nismën e qeverisë, që parashikon shembjen e pallateve mbi 50-vjeçare në Tiranë.

Për këtë çështje, Belind Këlliçi u angazhua para qytetarëve se asnjë objekt më i vjetër se 50 vjet nuk do të shembet dhe se prona apo shtëpia e çdo qytetari, nuk do të preket.

“Për banesat mbi 50-vjeçare, u jap premtim konkret, asnjë banesë, shtëpia e askujt nuk do të preket dhe nuk do t`i vidhet prona askujt që banon, jo në godinë 50-vjeçare, po dhe 60, po 70 dhe më të vjetër. Do të ketë, do të ketë nëse do të jetë e nevojshme padiskutim një audit, që do të bëhet në prezencë të banorëve, të qytetarëve për pjesën që i takon bashkisë Tiranë, ama shtëpia nuk do t`i prishet asnjë qytetari, prona nuk do t`i vidhet asnjë qytetari, dhe garanci jam unë, fjala ime, kjo video që kam sot para jush, emri im” -u shpreh Belind Këlliçi.

Zona e “Kodrës së Priftit” preket nga ndërtimi i Unazës së Madhe të kryeqytetit, ku dhjetëra banesa pritet të shemben nga ky projekt, ndërsa pronarët e tyre kanë protestuar vazhdimisht për shkak se nuk janë të kënaqur me dëmshpërblimet për pronën që preket nga ndërtimi i rrugës. Belind Këlliçi u shpreh se në të ardhmen, çdo pronë e qytetarëve që do të preket nga veprat publike, do të dëmshpërblehet me çmim tregu, ndërsa ajo nuk do të merret pa pasur dakordësinë e pronarit të saj. “Unë u jap një premtim publik, në radhë të parë përsëris premtimin që kam dhënë te “5 Maji”: çdo qytetari që mund t`i preket shtëpia apo prona për shkak të një projekti shtetëror, do të dëmshpërblehet me vlerën e tregut dhe asnjë lloj ndërhyrje nuk do të bëhet pa u dakordësuar me qytetarin”, -tha Këlliçi.