AKTUALITET, 15 Maj 2023, 22:37

"Nëse do të vënë interesat e komunitetit mbi agjendat politike", Rama flet për bashkëpunimin me kryebashkiakët e opozitës

"Nëse do të vënë interesat e komunitetit mbi agjendat
Kryeministri Rama dhe zëdhënësi i fushatës së PS-së, Fuga

Kryeministri Rama, gjatë komunikimit me gazetarët është pyetur edhe për deklarimet e tij të prera gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit, se nuk do të bashkëpunonte me kryebashkiakët e zgjedhur nën siglën e koalicionit "Bashkë Fitojmë".

Ai u shpreh se eksperienca kishte treguar deri më tani se një gjë e tillë është e pamundur, por ai nuk përjashtoi bashkëpunimin me ata kryebashkiakë të kahut të kundërt politik, të cilët vendosin interesin e komunitetit para agjendave politike.

“Bashkëpunimi me ta është i pamundur jo për shkakun tim, por për shkakun e tyre. Këtë e tregon eksperienca, por do e shohim rast pas rasti. Nëse do vënë interesat e komunitetit mbi agjendat politike, ne nuk kemi asnjë problem me këtë dhe e kemi për detyrë dhe privilegj që t’i shërbejmë çdo anëtari të bashkive brenda 28 mijë kilometra katrorëve”- tha Rama.

Deri tani kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” kanë arritur të fitojnë vetëm 7 bashki: Pukë, Memaliaj, Himarë, Has, Fushë-Arrëz, Kavajë dhe Mirditë.