AKTUALITET, 15 Maj 2023, 22:08

Neritan Sejamini tregon pse humbi kaq thellë opozita

Neritan Sejamini tregon pse humbi kaq thellë opozita

Analisti Neritan Sejamini ka folur për rezultatin e zgjedhjeve lokale, ku opozita pësoi disfatë në pjesë më të madhe të bashkive, me diferencë mjaft të thellë me mazhorancën.  

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Sejamini e shpjegoi humbjen e thellë, me mungesën e një alternative morale ndaj mazhorancës së Ramës dhe një fushate të konceptuar gabim, me propozime teknike dhe jo me një alternativë që të ishte model integriteti. 

"Në kushtet që ne jemi, jo në zgjedhje normale, kur pushteti kalon nga një palë në tjetrën në mënyrë normale, por kur kemi një shoqëri të kalbur dhe pushtet që kontrollon gjithçka, ka vetëm një mundësi për ndryshim, një alternativë morale. Opozita nuk luftoi në këtë mënyrë.

Pavarësisht se çfarë thotë opozita, fushata e opozitës nuk kishte asnjë lidhje me ndryshimin. Propozimi kryesor në Tiranë ishte autobusi falas. Tani e imagjinoni çfarë gafe është që e gjithë lufta e opozitës u përqëndrua te autobusi falas?

Pse nuk e bëri opozita luftën morale? Është e diskutueshme. Ndryshimi duhet të jetë moral, ku ti ofron një model integriteti. Njerëzit duan një botë të re. Ky sistem ka kapur gjithçka, njerëzit votojnë për këtë sistem. Do të çohen vetëm po të kenë shpresë.

Vota e Arlind Qorit tregon këtë gjë, askush nuk besonte që ai do të fitonte zgjedhjet, por është votë proteste. Pyetja ime është, përse këta 14 mijë vota nuk kanë identifikuar opozitën me ndryshimin? Këtë përgjigje duhet të japë opozita", tha Sejamini. 

Poll