TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Festë në selinë e PS në Shkodër pas fitores së Benet Becit. Një fitore e shumëpritur për socialistët dhe një humbje e papritur për demokratët që tashmë nuk e kanë më bastionin e tyre.
I shoqëruar nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, e dërguara e Ramës në Shkodër dhe deputetë të PS-së e plot të rinj, socialistët kanë festuar fitoren e thellë në metropolin verior.
Beci siguroi sot se planet dhe projektet për zhvillimin e Shkodrës do të bëhen realitet dhe se Shkodra vendosi të jetë pro zhvillimit.
“Akoma nuk më kanë dalë emocionet e këtyre dy ditëve të jashtëzakonshme, të dy ditëve që Shkodra foli, qytetarët e Shkodrës folën, që Shkodra vendosi të jetë pro zhvillimit, pro ndryshimit. Është satisfaksion i madh pas një muaj fushate, ku ne diskutuam me të gjithë për projektet si ta bëjmë më mirë Shkodrën, që qytetarët e Shkodrës na besuan”, tha Beci.
Ai theksoi se, ky është një detyrim i jashtëzakonshëm.
“I jam shumë mirënjohës Shkodrës për besimin. Besimi është një nga gjërat më të shtrenjta që jepet dhe është një punë e madhe për ta justifikuar. Detyra ime fillon këtu, për ta kthyer besimin e tyre në punë dhe për ta justifikuar, që ditën e nesërme të fillimit të punës në bashki”, tha ai.
Beci u shpreh se, besimi i qytetarëve është një obligim për të punuar për secilin prej tyre dhe për t’i shërbyer me përulësi çdokujt, pavarësisht ngjyrës dhe politikës.
“Ne do të jemi në shërbim të çdo shkodrani me më të mirën. Jam i gëzuar që ne patëm një fushatë të shkëlqyer në Shkodër, fushatë të qetë, për të cilën i jam mirënjohës çdo shkodrani. I jam mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve të mi, i jam mirënjohës çdo anëtari të PS-së, të cilët me dëshirë, luftë dhe përpjekje kanë qenë mbështetës të jashtëzakonshëm. U jam mirënjohës çdo demokrati, të cilët na kanë parë pak me dyshim dhe më në fund shumë prej tyre kanë arritur të na besojnë e të na japin besimin. Për ne është obligim t’ua kthejmë me punë atyre”, tha Beci.
Beci tha se, “sot jemi para një sfide të jashtëzakonshme për të bërë atë që kemi premtuar.
“Mirënjohje e veçantë për Kryeministrin Rama. Mbështetja për planet dhe projektet që ne kemi shpalosur për Shkodrën, do të bëhet realitet. Ky është obligimi ynë”, tha ai.






