AKTUALITET, 9 Shkurt 2026, 15:58

Nën akuzë për mashtrim fiskal me shitje fiktive 150 mln lekë, arrestohet një person në Tiranë

Nën akuzë për mashtrim fiskal me shitje fiktive 150 mln

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka kërkuar arrestimin e shtetasit Gj.F., i dyshuar për përfshirje në një skemë mashtruese fiskale me pasoja të konsiderueshme financiare për buxhetin e shtetit.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi u krye me kërkesë të Prokurorisë, ndërsa ndaj Gj.F. rëndojnë akuzat për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)” dhe “Fshehje e të ardhurave”, të parashikuara nga nenet 144/a dhe 180 të Kodit Penal.

Nga hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 5787, të vitit 2024, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Seksionin e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, ka rezultuar se subjekti tregtar “Dorina Fela” ka kryer shitje të dyshuara fiktive në vlerën totale 149,875,867 lekë.

Si pasojë e këtyre veprimeve, dyshohet se buxheti i shtetit është dëmtuar në vlerën 62,670,861 lekë. Sipas Prokurorisë, skema mashtruese është realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për Tatimin mbi Fitimin.

Në kuadër të hetimeve, u ndalua shtetasi Gj.F., i cili dyshohet se ka pasur rol organizues dhe drejtues në këtë veprimtari të paligjshme, duke përdorur subjektin tregtar të regjistruar në emër të bashkëshortes së tij për realizimin e skemës mashtruese.

Prokuroria bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, si dhe për dokumentimin e plotë të skemës mashtruese dhe pasojave financiare që ajo ka shkaktuar.