TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur që të kalojë për gjykim çështjen në ngarkim të Erion Veliajt dhe 29 të tjerëve.
Vendimi, u dha në seancë paraprake nga gjyqtarja Etleva Deda.
Ky vendim vjen një vit nga arrestimi i kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe shtyrjeve te njepasnjeshme te seancave, sot Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të kalojë për gjykim çështjen në ngarkim të tij dhe 29 personave të tjerë.
Vendimi u mor sot nga gjyqtarja Etleva Deda, ndërsa vetë Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancë, por kishte dërguar vetëm avokaten e caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku.
Avokatët e të pandehurve të tjerë, mësohet se kanë bojkotuar seancën e sotme, pasi pretendojnë për shkelje gjatë seancave paraprake.
“Për shkak të shkeljeve të rënda të procesit të rregullt ligjor gjatë seancave paraprake, avokatët e çështjes ku po gjykohen kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe të pandehur të tjerë, kane bojkotuar seancën e sotme ku merret vendimi për të kaluar gjykimin në themel ose jo”, thuhet në reagimin e avokatëve të ndarë për mediat.
Seanca e kaluar paraprake u zhvillua mes debateve, pasi kryebashkiaku Veliaj dhe avokatja e tij kryesisht, Valentina Teodoresku kërkuan shtyrje pasi argumentojnë se ende nuk janë njohur me të gjithë dosjen hetimore. Megjithatë, gjyqtarja Deda e rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut, nërsa ky i fundit kërkoi përjashtimin e saj me argumentin se po i mohon të drejtën për mbrojtje efektive dhe më pas u largua nga seanca.
Gjyqtarja Deda vijoi seancën duke e cilësuar si të ezauruar fazën e mbrojtjes. Ndërkohë, të premten u rrëzua kërkesa e Veliajt për përjashtimin e gjyqtares Deda dhe do të jetë kjo e fundit që sot pritet të shpallë vendimin për kalimin ose jo për gjykim të dosjes Veliaj.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milion euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.
SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë. Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.
Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave. Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, kurse Fatjon Baci është gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste.
Kërkesa të njëpasnjëshme të Erion Veliajt për të dalë nga qelia janë rrëzuar nga gjykatat e të gjitha niveleve.