TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, prezantoi sot te Komisioni për Administratën dhe Çështjet Ligjore, projektligjin e ri për shërbimin e jashtëm, diplomatët shqiptarë në Evropë dhe Botë.
Ajo u shpreh para anëtarëve të Komisionit, se diplomacia shqiptare ka nevojë për reformim dhe se ky projektligj është i lidhur, me rëndësi dhe do i shërbejë Shqipërisë në objektivin e saj strategjik të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ajo vuri në dukje edhe pasojat pozitive që do sjellë ky reformim, duke forcuar diplomacinë shqiptare në sytë e botës, pasi edhe kjo e fundit ka ndryshuar dukshëm në dekadën e fundit.
“Projektligji për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë nuk është thjesht një përditësim teknik i një ligji ekzistues. Ai është një ndërhyrje reformuese, që lidhet drejtpërdrejt me objektivin strategjik të Shqipërisë: anëtarësimin në BE. Shërbimi i jashtëm është një nga instrumentet kryesore për ta çuar përpara këtë proces, për të ndërtuar besim tek partnerët dhe për ta përfaqësuar Shqipërinë si një vend serioz, i besueshëm dhe i përgatitur për anëtarësim. Projektligji ri është pikërisht përgjigjja ndaj kësaj nevoje: një riorganizim i thellë institucional dhe profesional, për ta përshtatur diplomacinë shqiptare me ambiciet e kohës së re dhe me kërkesat konkrete të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh ministrja ndër të tjera.
Spitopali nënvizoi se ky projektligj i ri nuk ishte vetëm dokument teknik, por edhe si një përgjigje nevoje ndaj kohës aktuale dhe ndryshimet konkrete që sjell.
“Janë lëvizje reformuese që lidhen drejtpërdrejt me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ligji aktual është produkt i një kohe tjetër dhe gjeopolitike. Për më shumë se një dekadë bota ka ndryshuar me ritme të shpejta, ndërsa diplomacia jonë ka mbetur në procedura dhe rregulla që nuk i përgjigjen më rregullave dhe strukturës së sotme. Ky projektligj është përgjigja ndaj kësaj përvoje dhe nevojë, riorganizim total dhe ndryshime të propozuara që sjellin ndryshime konkrete që i duhen diplomatëve dhe institucioneve tona, si dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit”, tha shefja e diplomacisë shqiptare.
Për ministren, “kjo e bën diplomacinë më të hapur, më gjithpërfshirëse dhe më te lidhur”. Dhe jo vetëm kaq:
“Realizohet edhe një qëndrim më i qartë në aspektin lobues për aktivitetet shqiptare jashtë vendit dhe diplomatët tanë. Gjithashtu edhe bashkëpunim më i efektshëm mes institucioneve shqiptare, që prezantimi shqiptar edhe në Evropë të jetë më prezent. Ky projektligj plotëson edhe kriteret profesionale të rekrutimit të diplomatëve të karrierës. Ka më shumë transparencë dhe profesionalizëm”, vijoi ajo.
Spiropali e cilësoi edhe një moment kyç të kësaj reforme, Akademinë Diplomatike, ku do rekrutohen njerëz me personalitet, karrierë dhe me profesionalizëm, për ta përfaqësuar vendin sa më denjësisht.
“Një moment kyç i reformës është edhe struktura e re Akademia Diplomatike. Risi janë edhe kriteret e pranimit në shërbim, siguria dhe figura në Akademinë Diplomatike. Gjithashtu përfaqësimi i diplomatëve sipas gradës, statusit dhe trajtimi i tyre financiar apo familjarëve. Ky projektligj nuk është vetëm dokument teknik, por edhe një përgatitje për sfidat e kohës, një projekt serioz”, tha ministrja.
Në fund ajo kujtoi për deputetët prezentë në Komision se Shqipëria ndodhet në një moment dhe vit të rëndësishëm, ku punohet për mbylljen tashmë të negociatave e grupkapitujve dhe objektiv është integrimi në BE në vitin 2030.
“Jemi në një vit të rëndësishëm, ku vendi ynë shkon drejt integrimit në BE dhe ku drejt vendit tonë vijnë më shumë kërcënime nga vende të treta, ndaj diplomacia ka nevojë për më shumë përfaqësim dhe zë. Ky ligj nuk reformon vetëm diplomacinë”, përfundoi Spiropali.
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, rendi i ditës:
Shqyrtimi i projektligjit “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”
Shqyrtimi nen për nen i projektligjit “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”