AKTUALITET, 20 Janar 2023, 11:23

Ndihmuan atentatorët e ish-prokurorit Ndoj, SPAK lëshon 5 urdhër-arreste për anëtarët e "Bandës së Durrësit"

Ndihmuan atentatorët e ish-prokurorit Ndoj, SPAK lëshon 5
Plarent Dervishaj dhe Akil Nerjaku

Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj duket se ka qenë i mirëorganizuar pasi të përfshirë kanë qenë edhe anëtarë të bandës së Durrësit, Akil Nerjaku, Plarent Dervishaj, Julian Mecaj, Bashkim Haxhiaj dhe Marsel Decka, për të cilët u lëshuan urdhër arreste nga GJKKO me kërkesë të SPAK. Emrat e tyre dolën nga një bashkëpunëtor i drejtësisë që dyshohet të jetë Nuredin Dumani, i cili zbuloi se anëtarët e bandës së Durrësit siguruan kushte dhe mjete për atentatin. Urdhër-arrestet u lëshuan pas operacionit të djeshëm në banesën e Ramazan Rrajës, në Nikël të Krujës.

Nga 5 emrat, vendimi u ekzekutua për Akil Nerjakun që i shpëtoi një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në Durrës. Plarent Dervishaj rezulton në kërkim për një tjetër çështje, ndërsa dyshohet se ndodhet në Dubai. 3 emrat e tjerë nuk dihet ende se ku ndodhen. Dervishaj është kunati i Lulzim Berishës dhe një prej personazheve kryesore të Bandës së Durrësit.

Aiu u arrestua në Dubai, por u la i lirë, pas shpalljes së tij në kërkim pas rrëfimit të dëshmitarit të drejtësisë Luftar Reçit, i cili ka treguar dinamikën e vrasjes së Klodian Saliut. Në këtë vrasje, Reçi ka treguar se e ka kryer së bashku me Indrit Taullaun dhe Plaurent Dervishajn. Ndërsa sipas Luftar Reçit, Lulzim Berisha ishte njeriu që i kishte propozuar vrasjen e ish-mikut të tij Saliu, në këmbim të vrasjes së hasmëve të Luftar Reçit

SPAK dje urdhëroi edhe shoqërimin e Ramazan Rrajës, por gjatë kontrollit nuk u gjet në banesë. SPAK akoma nuk ka bërë njoftim zyrtar dhe detaje për operacionin në fjalë.

Një prej personave për të cilët SPAK ka lëshuar sot urdhër arrest është edhe Bashkim Haxhia. Ai është një personazheve më të njohur të botës së krimi. Ai ka qenë njeriu i vetëm i arrestuar nga policia në ngjarjen e atentatit me armë ndaj tij, Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçe, të cilit i shpëtoi mrekullisht. Haxhia ndërkohë njihet si pjesë e grupit famëkeq  të Astrit Gjepalit, i vrarë në 16 janar 2014, si edhe anëtar i bandës së Durrësit. Haxhia është ekstraduar disa vite më parë nga Italia, pasi në Shqipëri ishte dënuar me 20 vite burgim  me akuzën për vrasje, katër rrëmbime dhe grabitje. Ai po ashtu është hetuar nga drejtësia e vendeve fqinje, me akuzën për shpërndarje droge dhe trafik prostitucioni.

Atentati ndaj prokurorit Ndoj

Në vitin 2019 një atentat iu bë ndaj ish- prokurorit Arjan Ndoj, Ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes, prokurori Ndoj ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.

Ndihmuan atentatorët e ish-prokurorit Ndoj, SPAK lëshon 5
Prokurori Ndoj dhe makina pasi iu bë atentati

Makinës 'Benz' me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurorit Ndoj, iu bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t'i mbijetonte plagëve. Nën akuzë për atentatin ndaj Ndojës janë Redjan Rraja dhe Ariol Halili.