AKTUALITET, 20 Janar 2023, 09:44

Akil Nerjaku u arrestua, ndërsa RENEA bastisi vilën e Ramazan Rrajës në Nikël, të ndaluar dhe dy të tjerë

Akil Nerjaku u arrestua, ndërsa RENEA bastisi vilën e Ramazan

Arrestimi i Akil Gentian Nerjakut, i cili i shpëtoi një atentati me snajper në shtator të vitit të kaluar, është bërë me urdhër të SPAK në kohën kur ushtroheshin kontrolle në shtëpinë e Ramazan Rrajës në Nikël, të enjten e 19 janarit dhe, gjatë bastisjes së banesave, janë ndaluar dhe dy persona të tjerë.

Prokuroria e Posaçme SPAK bëhet me dije se ka lëshuar një mandat shoqërimi për Ramazan Rrajën, nipin e deputetit socialist në Krujë Rrahman Rraja.

Mëngjesin e 19 janarit, SPAK, RENEA dhe oficerë të BKH-së kanë kryer kontrollin e disa banesave në zonën e Rinasit, Niklës dhe Krujës, me shpresën lokalizimin dhe më pas arrestimin e Ramazan Rrajës, por në vilën e tij u gjet xhaxhai i tij, Rrahman Rraja, deputet i PS-së.

Gjatë aksionit të djeshëm ka rënë në pranga Akil Nerjaku i cili ishte shënjestra e atentatit që ndodhi në Durrës më 12 shtator 2022. Atentati ndaj tij ndodhi në zonën e Plazhit, ku Nerjaku është qëlluar me armë teksa lëvizte me një automjet tip “Benz G klas”, por i ka shpëtuar plumbave. Dyshohet se ndaj tij u qëllua me snajper. Mësohet se automjeti me të cilin udhëtonte i riu ka qenë i blinduar, duke bërë që Nerjaku t’i shpëtonte plumbave. Burime nga grupi hetimor bënë me dije në shtator të vitit të kaluar se shkak i ngjarjes dyshohet të jetë bërë prishja e pazareve të drogës dhe se plumbar ndaj tij ishin një paralajmërim për Akil Nerjakun. 

Akil Gentjan Nerjaku është një person me precedentë të mëparshëm penalë, pasi rezulton i arrestuar për armëmbajtje pa leje disa vite më parë dhe është liruar më pas nga Gjykata.