AKTUALITET, 2 Shtator 2022, 13:12

Ministria e Brendshme: E vërteta e lejes së "Prestige Resort" me firmën e Ramës

Ministria e Brendshme: E vërteta e lejes së "Prestige

Ministria e Brendshme ka reaguar sërish, pas ndërhyrjes për prishjen e dy pishinave të “Prestige Resort”, në pronësi të Irfan Hysenbelliut. 

Ku i fundit pretendon se pishinat janë me leje të firmosur nga Rama dhe se sulmi është politik. 

Në reagimin e Ministrisë së Brendshme, thuhet se prishjet po kryhen, pasi nuk kanë zbatuar asnjë kusht, për të marrë lejen.

“Pretendimi i mediave të zotit Irfan Hysenbelliu se ndërhyrja e sotme e IKMT është e paligjshme pasi resorti paska leje të miratuar është një tjetër manipulim i opinionit publik.

Dokumenti i nxjerrë në mediat në fjalë me firmën e kryeministrit Edi Rama si kryetar i KKT provon të kundërtën e pretendimit.

Leja është një leje me kusht, ku thuhet qartësisht se dokumenti i lejes së ndërtimit do të jepet vetëm pasi tē plotësohet dokumentacioni tekniko-ligjor dhe të paguhen taksat përkatëse.

Asnjëri nga kushtet nuk është plotësuar dhe sot zoti Irfan Hysenbelliu i detyrohet shtetit dhe qytetarëve kthimin e sipërfaqeve të zaptuara si edhe borxhin financiar nga mospagimi i taksave”, thuhet në reagim.