AKTUALITET, 2 Shtator 2022, 12:27

Prishja e pishinave të "Prestige"/ Berisha merr në mbrojtje Hysenbelliun: Rama po sulmon mediat sepse nuk di ku të futet!

Prishja e pishinave të "Prestige"/ Berisha merr në mbrojtje
Foto ilustrim: Sali Berisha dhe pishinat e "Prestige"

Sali Berisha ka komentuar aksionin e IKMT paraditen e sotme në Golem, ku u shembën dy pishina të resortit "Prestige", në pronësi të Irfan Hysenbelliut, pronar i disa mediave përfshirë edhe News24. 

Gjatë një konference për shtyp, Berisha e cilësoi këtë ngjarje si "një sulm politik" që Edi Rama u bën "kritikëve". 

Duket se Berisha ka ndryshuar qëndrim ndaj Hysenbelliut, për të cilin pak muaj më parë, deklaronte se është "kapterr i Taulant Ballës që financon mediat me paratë e inceneratorëve". 

"Me ato që kam lexuar, konstatoj se Edi Rama ka urdhëruar shkatërrimin e pjesëve të resortit, në kundërshtim flagrant me ligjin.

Mbi të gjitha, ajo që dënoj me forcën më të madhe dhe nuk mund të pajtohem kurrë, sfondi politik i këtyre veprimeve. Janë të denueshme, janë anti-kushtetuese, janë anti-ligjore, përpjekjet për të shkatërruar një grup mediatik në kundërshtim me ligjet e vendit.

Të dhënat e deritanishme tregojnë se kemi të bëjmë me një përpjekje të hapur, për të shkatërruar një grup mediatik i cili duket se nuk u përputh plotësisht me kërkesat politike të Edi Ramës.

Në çdo rast, ndaj çdo ndërhyrje, me background (sfond) politik, ne jemi kategorikisht kundër dhe e dënojmë me forcën më të madhe. Akti është i shëmtuar, shpërthim i një urrejtje të papërmbajtur, të një njeriu që nuk di, për shkak të shkallës së tmerrshme të inkriminimit të tij, nuk di ku të fusë kokën dhe tani përpiqet të shuajë kritikat, mediat, zërat kundër", deklaroi ndër të tjera Berisha. 

Ndërkohë, Ministria e Brendshme deklaron se prishja e pishinave të resortit ka ndodhur për shkak se janë ndërtim pa leje dhe akuzojnë Irfan Hysenbelliun se po përdor mediat e tij, për shantazh dhe mburojë ndaj zbatimit të ligjit. 

Deklarata e Ministrisë së Brendshme: 

Sot strukturat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë rifilluar operacionin "Bregdeti Ynë", i cili është ndërprerë gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, për të rinisur në shtator.

Ky operacion ka synuar rivendosjen e ligjshmërisë në bregdet dhe deri tani ka prishur 434 objekte të paligjshme në vijën bregdetare.

Ndërhyrja e sotme për rikthimin e rreth 4 mijë metrave katrorë rërë e det të kthyera në beton, përpara një resorti ku një pjesë e zhvillimeve edhe në brendësi të zonës së pishave janë ndërtime të paligjshme për qëllime fitimi, është trajtuar nga mediat e zotit Irfan Hysenbelliu si sulm ndaj linjës editoriale të tyre.

Nuk është hera e parë që mediat News24, BalkanWeb dhe Panorama synojnë të mbulojnë problemet e pronarit të tyre me ligjin, duke marrë rolin e viktimës së lirisë së shtypit.

Edhe më keq se kaq, këto media e kanë bërë mesa duket rrugë përdorimin e shantazhit, shpifjes dhe denigrimit ndaj autoriteteve shtetërore, sa herë zoti Irfan Hysenbelliu ka rënë në rrjetën e kontrolleve ligjore.

Pre e kësaj mënyre të ulët të keqpërdorimit të mediave si imunitet ndaj ligjit të pronarit, kanë rënë kohët e fundit drejtori i tatimeve dhe më pas drejtori i doganave.

Ata u kthyen në shënjestra fushatash denigruese të News24, BalkanWeb dhe Panorama, sepse agjencitë e të ardhurave të shtetit konstatuan një evazion fiskal me përmasa shqetësuese në biznese të lidhura me zotin Irfan Hysenbelliu.

Sot këto media e kanë nisur ditën me shantazhe, shpifje dhe me denigrimin e drejtores së sapoemëruar të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

Ato kanë thënë se drejtori i këtij Inspektoriati paska dhënë dorëheqjen sepse ka kundërshtuar rifillimin e operacionit "Bregdeti Ynë" me pikërisht aksionin për çbetonizimin e plazhit dhe detit para resortit të zotit Irfan Hysenbelliu. Kjo është krejtësisht e pavërtetë.

Zoti Ajet Zyberi do të drejtojë operacionin e ri kombëtar të Task Forcës kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, i cili do të nisë javën e ardhshme pas shpalosjes së planit të qeverisë për të përballuar vjeshtë-dimrin në kushtet e krizës ndërkombëtare të energjisë.