TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Eksponentë të Partisë Demokratike kanë dalë në mbrojtje të pronarit të News24, Irfan Hysebelliu, pasi atij po i prishen dy pishina nga IKMT në resortin "Prestige", me argumentin se janë pa leje.
Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi thotë se Rama po e sulmon Hysenbelliun sepse mediat e tij janë "realiste dhe profesionale".
"Një sulm i pastër politik e jo vetëm, për shkak të qëndrimeve realiste dhe profesionale të mediave News 24, Panorama dhe Gazeta Shqiptare për aferat e qeverisë, Edi Rama urdhëron prishjen e një pjese të resortit në pronësi të botuesit I.Hysenbelliu", shkruan Boçi.
Më pas ishte vetë Berisha që e cilësoi prishjen e pishinave të Hysenbelliut si "sulm politik".
Por, ndryshe nga qëndrimi i sotëm i PD, që flet për media të lirë dhe profesionale, pak kohë më parë, në Shkurt 2022, Sali Berisha e denonconte Hysenbelliun dhe mediat e tij, si të kapura nga qeveria dhe të paguar nga paratë e inceneratorëve.
"Te specializuar per manipulim provash dhe genjeshtrash, ja si mashtron opinionin per llogari te njeriut qe genjen dhe kur fle, Irfan Hysenbelliu, kapterri i Taulant Balles qe financion mediat me parate e inceneratoreve!", shkruante Berisha në Shkurt 2022.
Pra brenda pak muajve sipas opozitës, mediat e Irfan Hysenbelliut kaluan nga "të kapura nga qeveria dhe paratë e inceneratorëve" në "realiste dhe profesionale".
Hysenbelliu e konsideron prishjen e pishinave si politike, por Ministria e Brendshme pretendon se ato janë pa leje dhe se Hysenbelliu po përdor mediat e tij për të mbrojtur paligjshmërinë.
Deklarata e Ministrisë së Brendshme:
"Sot strukturat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë rifilluar operacionin "Bregdeti Ynë", i cili është ndërprerë gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, për të rinisur në shtator.
Ky operacion ka synuar rivendosjen e ligjshmërisë në bregdet dhe deri tani ka prishur 434 objekte të paligjshme në vijën bregdetare.
Ndërhyrja e sotme për rikthimin e rreth 4 mijë metrave katrorë rërë e det të kthyera në beton, përpara një resorti ku një pjesë e zhvillimeve edhe në brendësi të zonës së pishave janë ndërtime të paligjshme për qëllime fitimi, është trajtuar nga mediat e zotit Irfan Hysenbelliu si sulm ndaj linjës editoriale të tyre.
Nuk është hera e parë që mediat News24, BalkanWeb dhe Panorama synojnë të mbulojnë problemet e pronarit të tyre me ligjin, duke marrë rolin e viktimës së lirisë së shtypit.
Edhe më keq se kaq, këto media e kanë bërë mesa duket rrugë përdorimin e shantazhit, shpifjes dhe denigrimit ndaj autoriteteve shtetërore, sa herë zoti Irfan Hysenbelliu ka rënë në rrjetën e kontrolleve ligjore.
Pre e kësaj mënyre të ulët të keqpërdorimit të mediave si imunitet ndaj ligjit të pronarit, kanë rënë kohët e fundit drejtori i tatimeve dhe më pas drejtori i doganave.
Ata u kthyen në shënjestra fushatash denigruese të News24, BalkanWeb dhe Panorama, sepse agjencitë e të ardhurave të shtetit konstatuan një evazion fiskal me përmasa shqetësuese në biznese të lidhura me zotin Irfan Hysenbelliu.
Sot këto media e kanë nisur ditën me shantazhe, shpifje dhe me denigrimin e drejtores së sapoemëruar të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Ato kanë thënë se drejtori i këtij Inspektoriati paska dhënë dorëheqjen sepse ka kundërshtuar rifillimin e operacionit "Bregdeti Ynë" me pikërisht aksionin për çbetonizimin e plazhit dhe detit para resortit të zotit Irfan Hysenbelliu. Kjo është krejtësisht e pavërtetë.
Zoti Ajet Zyberi do të drejtojë operacionin e ri kombëtar të Task Forcës kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, i cili do të nisë javën e ardhshme pas shpalosjes së planit të qeverisë për të përballuar vjeshtë-dimrin në kushtet e krizës ndërkombëtare të energjisë".