AKTUALITET, 25 Mars 2024, 14:30

Meta ironizon Lulzim Bashën: Dihet kush është pazarxhiu, e ka në ballë të shkruar

Meta ironizon Lulzim Bashën: Dihet kush është pazarxhiu, e ka

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është përgjigjur Lulzim Bashës, i cili ka deklaruar herë pas herë se bëhet pazare mes politikës së vjetër.

Në konferencë me gazetarët, Meta u shpreh se dihet kush është pazarxhiu, duke kujtuar djegien e mandateve apo shtyrjen e zgjedhjeve lokale, që siç u shpreh kreu i PL, “Basha nuk e regjistroi PD në KQZ sepse kështu i interesonte Ramës”.

Meta ndër të tjera tha se “të gjithë e dinë kush është pazarxhiu, e ka në ballë të shkruar”, ndërsa e ironizoi Bashën duke thënë “nuk bëhesh i ri duke lyer flokët”.

“Nuk bëhesh i ri duke lyer flokët. Siç ishte pazari edhe i djegies së mandateve, siç ishte pazari edhe për zgjedhjet lokale që i ra në gjunjë presidentit për të shtyrë zgjedhjet lokale dhe që e shtyu. E vendosi vetë datën e zgjedhjeve lokale dhe nuk e regjistroi PD në KQZ siç u regjistruan partitë e tjera të opozitës.

Pse? Jo se nuk i interesonte PD, por nuk i interesonte Edi Ramës, i cili duhet tu thoshte të huajave si do të hyj në zgjedhjet lokale kur prapë PD nuk është regjistruar.

Të gjithë e dinë kush është pazarxhiu, e ka në ballë të shkruar. Sa i takon pastaj të vjetër të rinj, e thashë që sado të lyhen flokët nuk ka rini aty ku shkëlqen mashtrimi”, tha Meta.