TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjyqtares Irena Gjoka i ka përfunduar mandati si zv.kryetare e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Në vendin e saj është zgjedhur, Erjon Bani, i cili ka marrë 6 vota.
Me anë të një njoftimi GJKKO thote se Erjon Bani do të ushtrojë kompetencat e Kryetarit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, deri në zgjedhjen e kryetarit të kësaj gjykate nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Në mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve të GJKKO-së ishte edhe zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor Ilir Rusi.
Kujtojmë që mandati i zëvendëskryetarit të GJKKO është tre vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme. Irena Gjoka ishte zgjedhur në këtë detyrë më 24.03.2021.
Më datë 24.03.2021 rezulton se znj.Irena Gjoka është zgjedhur si Zëvendëskryetare e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Sipas akteve ligjore dhe nënligjore mandati i Zëvendëskryetarit është tre vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme. Prandaj, znj.Irena Gjoka i mbaroi mandati më datë 24.03.2024.
Irena Gjoka është akuzuar ashpër nga Sali Berisha prej nisjes së gjyqit ndaj tij dhe dhëndrit si gjyqtarja me tre mbiemra Irena-Gjoka-Maneku-Shpata, e cila sipas tij, është dëbuar nga Greqia dhe se e ka fshehur këtë shkelje.
Berisha, po ashtu, shprehej se ajo është shkarkuar prej tij si kryetar i KLD-së, kur ai ishte president në vitin 1996 dhe u mor me dosjen e tij, në konflikt të hapur interesi.
NJOFTIMI
1. Më datë 24.03.2021 rezulton se znj.Irena Gjoka është zgjedhur si Zëvendëskryetare e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Sipas akteve ligjore dhe nënligjore mandati i Zëvendëskryetarit është tre vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme. Prandaj, znj.Irena Gjoka i mbaroi mandati më datë 24.03.2024.
2. Për këto arsye, Mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar zhvilloi sot më datë 25.03.2024 procedurën për zgjedhjen e Zëvendëskryetarit të kësaj Gjykate. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor z.Ilir Rusi.
3. Referuar kërkesave të nenit 26, pika 3 të Ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në R.SH.” si dhe të vendimit Nr. 7, datë 21.12.2018 “Rregullore për miratimin e rregullave për zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të gjykatave” të Këshillit të Lartë Gjyqësor, që parashikojnë zgjedhjen e zëvendëskryetarit nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës, pas procesit të verifikimit të përmbushjes së kritereve ligjore për dy kandidaturat e paraqitura, konkretisht gjyqtarët Erjon Bani dhe Erjon Çela, në prani të nëntë gjyqtarëve, Mbledhja e Përgjithshme vijoi me kryerjen e procedurës së votimit.
4. Në përfundim, Z. Erjon Bani, rezultoi i zgjedhur me 6 vota, si Zëvendëskryetari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
5. Në kushtet kur pozicioni i kryetarit është vakant, Z. Erjon Bani do të ushtrojë kompetencat e Kryetarit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, deri në zgjedhjen e kryetarit të kësaj gjykate nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Tiranë, më datë 25.03.2024