AKTUALITET, 25 Mars 2024, 13:22

Shkarkimi i Albana Ficos, reagon Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë: Masa gjysmake për show!

Shkarkimi i Albana Ficos, reagon Kryetarja e Komisionit të

Pak më parë u raportua largimi nga detyra e drejtoreshës së QSUT Albana Fico.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë Zheni Gjergji.

Ajo u shpreh se nuk mbulohet skandali i Urgjencës me masa gjysmake, referuar faktit që pas rënies së zjarrit në Urgjencën e re të Qendrës Spitalore Nënë Tereza, kjo urgjencë ka qenë jashtë shërbimit.

Sipas saj Qeveria është përgjegjëse për paratë e çuara dëm, e sidomos për koston që kjo ka sjellë tek shëndeti i qytetarëve mosfuksionimi.

Gjergji tha se Opozita do ta kërkojë deri në fund të vërtetën për Urgjencën dhe çdo abuzim që është bërë në këtë sektor të cilin e quajti jetik.

Postimi i plotë:

Nuk mbulohet skandali i Urgjencës me masa gjysmake.

Prej ditës së parë kur Urgjenca e QSUT u përshi nga flakët ku u bë shkrumb një investim prej 17 milionë eurosh i taksapaguesve shqiptarë, kemi ngritur zërin e kemi kërkuar hetim, transparencë e përgjegjësi para ligjit.

Pas disa javësh heshtje dhe errësirë, qeveria vendosi të largojë Drejtuesen e QSUT.

Këto janë masa gjysmake për shfaqje.

Qeveria duhet të tregojë çfarë ndodhi, pse ndodhi, si nuk u menaxhua si duhet ajo situatë?

Qeveria është përgjegjëse për paratë e çuara dëm, e sidomos për koston që kjo ka sjellë tek shëndeti i qytetarëve duke qenë se Urgjenca nuk funksionon prej muajsh tanimë.

Ky rast flagrant papërgjegjshmërie tregon raportin e vërtetë që rilindja ka me shëndetësinë, ku aferat e skandalet synon t’i zbehë me show e propagandë.

Opozita do ta kërkojë deri në fund të vërtetën për Urgjencën e çdo abuzim që është bërë në këtë sektor jetik.