AKTUALITET, 19 Maj 2024, 15:53

Megaoperacioni i SPAK ku u goditën anëtarët e 7 grupeve kriminale, GJKKO cakton masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për 9 prej tyre (EMRAT)

Megaoperacioni i SPAK ku u goditën anëtarët e 7 grupeve

Gjykata e Posaçme në seancën e zhvilluar këtë të diel (19 maj) ka caktuar masën e sigurisë për 9 anëtarë të grupeve kriminale, që u goditën nga SPAK në një megaoperacion të zhvilluar dy ditët e fundit.

Në burg janë lënë Naim Stafuka, Armando Ndreca, Robert Laçi, Viktor Imeraj, Satilno Basho, Deivis Bajramaj, Drianto Bardhi dhe Miri Bruli.

Avokatët kërkuan që arrestimi të cilësohej i paligjshëm duke pretenduar se nuk faktohet se i kujt është kodi që shërben për përdorimin e SkyEcc.

“Të dyshuarit kundërshtuan masën. Provat në legjislacionin shqiptar janë të pavlefshme”, u shprehën ata.

Në materialet e SPAK, kanë dalë bisedat mes të arrestuarave që u përkasin grupeve kriminale ku flasin dhe dakordësohen për ngjarje kriminale. Përgjimet janë ndarë në 20 fashikuj.

Prokuroria e Posaçme lëshoi 50 urdhëra arresti, nga të cilat 14 u ekzekutuan në Shqipëri, dhe 6 të tjera në Itali, Gjermani, Spanjë dhe Belgjike, falë bashkëpunimit me autoritetet e këtyre vendeve.
Një pjesë e mirë e personave ndaj të cilëve u lëshuan urdhëra arresti, ndodhen prej kohësh jashtë vendit. Në listën e personave që janë në kërkim rezulton dhe ish deputeti socialist Arben Ndoka, i dyshuar si kreu i njërit prej grupeve si dhe vëllai dhe i afërmi i një tjetër deputeti të shumicës, Eduard Ndreca.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, karakteristikë e këtyre grupeve është dhuna e egër në kryerjen e krimeve. Hetimet kanë zbuluar lidhjet mes tyre, aleancat dhe armiqësitë që kanë qenë burim i vrasjeve dhe tentativave për vrasje, mes anëtarëve të grupeve.
Nga hetimet, ka dalë në dritë dhe përfshirja e disa punonjësve të policisë, ish Drejtorit të Lezhës Henrigert Mitri, aktualisht në Drejtorinë qendrore të policisë, dhe ish shefit të seksionit të trafiqeve dhe narkotikëve në këtë qytet, edhe ai aktualisht në detyrë si oficer policie, të dy të lidhur me një nga grupet kriminale dhe të angazhuar në kultivimin e bimëve narkotike.

Po ashtu, hetimet kanë çuar dhe në zbulimin e lidhjeve me grupet kriminale të dy ish efektivëve të forcave speciale. Gjatë operacionit për ekzekutimin e urdhërave të arrestit, janë ushtruar kontrolle në 50 banesa, në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Lezhë, Rrëshen, Kurbin, Fushë-Krujë dhe Krujë, ku ishin dhe bazat e grupeve.
Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka sekuestruar automjete të blinduara, bizhuteri, lingota floriri dhe vlera monetare, për një total prej afro 4.5 milionë euro, nga të cilat 3 milionë euro janë cash.