AKTUALITET, 26 Prill 2023, 16:40

Mediu-Duka në Fier në mbështetje të Evdar Kodhelit: Shqipëria, në kolaps ekonomik, social dhe politik

Mediu-Duka në Fier në mbështetje të Evdar Kodhelit:

Aleatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Partia Republikane e drejtuar nga Fatmir Mediu dhe Partia Agrare Ambientaliste e Agron Dukës kanë deklaruar mbështetjen për Evdar Kodhelin, kandidaturën e Koalicionit “Bashkë Fitojmë” në qytetin e Fierit.

Në fjalën e tyre, kreu i PR-së, Fatmir Mediu dhe ai i PAA, Agron Duka, kanë kërkuar bashkimin e të gjitha forcave që sipas tyre do të sjellin ndryshimin e shumëpritur për largimin e këtij regjimi.

Mediu tha se, “Shqipëria është në kolapsin e vet ekonomik, social dhe politik, prandaj një detyrë tjetër e opozitës është të ndërtojë polin moral të kësaj shoqërie”.

“Kjo nuk është lufta për fitoren e një partie apo kryetar bashkie, thjeshtë për z. Kodheli. Është lufta për fitoren e të mirës mbi të keqen, është përballja për t’i dhënë vlerë Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe jo varfërisë, krimit dhe korrupsionit. Së pari më lejoni të them dy fjalë për kandidatin siç e njoh unë. Evdar Kodheli është përfaqësues i shoqërisë civile dhe ne duam një kryebashkiak që të jetë, jo i partive, por qytetarëve të Fierit. Por ne sot jemi këtu, për të kërkuar nga gjithsecili nga ju që të qëndrojmë së bashku dhe çdo votë për Partinë Republikane, Partinë Agrare çdo votë opozitare e qytetare të jetë dhe votë për kryetarin e bashkisë, Evdar Kodheli”, tha kreu i PR, Mediu.

Mediu theksoi se, “ky është moment i rëndësishëm, por edhe i vështirë, pasi ky pushtet kërcënon këdo që i vihet përballë, duke kërcënuar për largim nga puna, duke kërcënuar për shkatërrim biznesi, duke kërcënuar për grabitje prone, duke të ofruar për të blerë votën dhe nderin, të ardhmen e fëmijëve tuaj”.

Agron Duka deklaroi se, “ne jemi të gjithë opozitar kundër pushtetit absolut”.

“S’mund ta lemë jetën në dorë të një njeriu, prandaj jemi këtu për votat e Partisë Agrare dhe Partisë Republikane, por dhe për të mbështetur kandidatin e opozitës Evdar Kodheli”, tha Duka.