AKTUALITET, 26 Prill 2023, 14:57

"Të dalim e t’i vendosim shpatullat Shqipërisë së drobitur", Alibeaj nga Këlcyra akuza Berishës: E kemi adhuruar si lider historik, u fut nën sqetullën e Ilir Metës

 

"Të dalim e t’i vendosim shpatullat Shqipërisë së

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj është takuar me mbështetësit në Këlcyrë, ku ka prezantuar kandidatin për kryetar bashkie, Adriatik Spahiu.

Alibeaj tha se më 15 Maj, bashkia Këlcyrës do të gdhihet blu, me kryetar Adriatik Spahiun.

“Është një moment shumë i rëndësishëm për Këlcyrën, për qytetarët e Këlcyrës, por është një moment i rëndësishëm edhe për vetë Shqipërinë. Ky është një moment shumë i rëndësishëm ku vërtetë patriotizmi dhe historia më e lavdishme e këtij vendi, ku këtu në Këlcyrë në fakt ka rrënjë të thella. Do të duhet që përsëri të dalim e t’i vendosim shpatullat Shqipërisë së drobitur. Këlcyrës që lëngon, të cilës sot e prej 10 vitesh nën qeverisjen e Edi Ramas, e 12 vitesh nën qeverisjen lokale të Partisë Socialiste, ia ka marrë shpirtin këtij vendi, këtyre qytetarëve”, theksoi Alibeaj.

Alibeaj foli edhe për situatën e krijuar në Partinë Demokratike, pas sulmeve nga Sali Berisha. Kreu i komanduar i PD-së, tha se Berisha bashkoi demokratët me Ilir Metën.

“Prej një viti e gjysmë PD është në agresion. Agresion nga jashtë, të majtët, Partia Socialiste, Edi Rama, regjimi, i gjithë shteti në fakt i është hedhur në grykë Partisë Demokratike për ta asgjësuar. Jemi ndodhur nën agresion nga Sali Berisha. Jemi ndodhur nën agresion edhe nga njeriu që e kemi pasur dy herë president, dy herë kryeministër, e kemi adhuruar si lider historik, ka përfituar shumë nga PD”, tha ai.

Alibeaj theksoi se Partia Demokratike është partia që në ADN-në e saj është pro amerikane, është pro perëndimore.

"Nëse nuk e ka këtë vlerësim, ajo nuk është më. Është thjesht dhe vetëm një kopje e keqe e partive të majta, partive sovjetike që janë sot në Shqipëri. E pra, për shkak të kësaj arsyeje, Sali Berisha mori kazmën për t’ia vënë dërrmën demokratëve. Në 8 janar një shfaqje e shëmtuar, duhet ta heqim nga mendja ne demokratët, duhet të bëjmë gjithçka për ta fashitur ato skena të shëmtuara. E vazhdoi në 6 mars, shkoi u fut nën sqetullën e Ilir Metës, duke ia bërë të pamundur Partisë Demokratike fitoren në 6 mars. E vazhdoi në prill, për ta përçarë PD. E vazhdoi në tetor, me procesin e primareve dhe ne i thamë, po more ne nuk duhemi me njëri-tjetrin, por po ua shtrimë dorën këtyre demokratëve, atyre demokratëve. Hajde të dalim me një kandidat. Më të mirin, fituesin. Sepse e keqja më e madhe në këtë vend quhet Edi Rama. Askush nuk duhet të bëjë veprime për t’ia zgjatur ymrin Edi Ramës. Ishte njerëzore, ishte fisnike. 3 mars, pasi na zvarritën 1 vit e ca nëpër gjyqe, e na lodhën e na telikosën, 3 mars kur u sqarua gjithçka, I thashë: kandidatëve të Foltores, mos shkoni tek LSI-ja, mo shkoni tek partia e majtë, mos shkoni tek një pazarxhi politik si Ilir Meta. Hajdeni tek shpia juaj, hajdeni tek kjo sigël, sepse keni detyrime tek kjo sigël. Jeni bërë personazhe politike prej Partia Demokratike, ia keni detyrim. Po e gëlltis unë krenarinë, po e lë mënjanë se çfarë kemi bërë në një vit e gjysmë, por vetëm për të mirën e demokratëve hajde të dalim me një kandidat para së keqes së madhe që quhet Edi Rama. E refuzuan", deklaroi ndër të tjera Alibeaj.