AKTUALITET, 21 Maj 2026, 23:29

"Më pëlqen ambasada pa ambasador!"/ Bushati pesimist për ardhjen e Eric Wendt: Ambasadorët na tregojnë si të sillemi me LGBT, apo kush është piktor i mirë...

"Më pëlqen ambasada pa ambasador!"/ Bushati pesimist

Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, është shprehur pesimist për rikthimin e një ambasadori amerikan në Tiranë, tre vite pas largimit të Yuri Kim. 

Bushati tha se preferon një ambasadë diskrete, sesa një ambasadë ku diplomatët bëhen protagonistë dhe ndërhyjnë në politikat e vendit. 

"Nuk e shoh detyrimisht si lajm pozitiv, faktin që pas 3 vitesh pa ambaasdor po vjen ambasador i ri. Më pëlqente më shumë ambasada diskrete pa ambasador. Jemi mësuar me ambasadorë, që edhe për fajin tonë, shkon deri në ekspozita pikture dhe vendos hierarkinë se kush janë piktorët më të mirë të këtij vendi, apo se si duhet të sillet shoqëria shqiptare me minoritete si LGBT.

Kthejnë me një protagonizëm, Rayerson, Mariza Lino, Donald Lu, Yuri Kim që e quajnë Kimete. Më mirë ambasadë dikrete, ku diplomatët nuk bëhen protagonistë të dorës së parë dhe ndërhyjnë në politikën e një vendi. Më pëlqente siç ishte. Jo detyrimisht do të jetë më mirë me të riun.

Duke dëgjuar fjalën e kandidatit për ambasador, i vetmi lajm kryesor, ishte konfirmimi i një linje që kemi parë edhe në mesazhet e Presidentit Trump dhe Sekretarit Rubio, që Shqipërinë e shohin si laborator ku duhet luftuar lidhja me kartelet e drogës, krimi i organizuar dhe kartelet e lidhura me Amerikën Latine. Kemi konfirmim të një mesazhi që e kemi marrë.

Herën e fundit, edhe Trump edhe Rubio, na uruan për pavarësinë dhe thoshin kujdes me narkotrafikun.

Senatorët, një pjesë nuk kanë ndryshim nga anëtarët e parlamentit tonë kur mblidhen ne komisione. Dëgjova një senator, që ftonte ambasadorin që ti bashkohej klubit të burrave të gjatë bashkë me Edi Ramën. Pra nuk është se duhet të kemi ndonjë respekt të shtuar më shumë se për deputetët tanë, aq e njohin Shqipërinë", deklaroi analisti. 

Lidhur me investimet e familjes Trump në Shqipëri, Bushati tha se do të jetë interesante të shohim se çfarë qëndrimi do të mbajë ambasadori. 

"Ishte një pyetje, çdo të bëni me investimet e familjes Trump, Sazanin dhe Zvërnecin. Ambasadori kishte dy linja, njëra ishte, ne do të mbrojmë interesat amerikane. Por unë nuk e di tha ai, që atje ka interesa ekonomike familja Trump. Ndërkohë ai do të jetë shqetësimi kryesor i një ambasadori këtu. Nëse familja Trump në errësirë ka filluar investim në Zvërnec ku po prishet një pasuri e mbrojtur natyrore, në heshtjen totale, të SPAK, medias dhe politikës, PD dhe PS, ky ambasador që thotë se vlerëson punën e SPAK, nëse familja Trump bëhet promotore e shkatërrimit të ligjit në Shqipëri, kë SPAK do të na mbrojë, atë që mbron oligarkët apo SPAK që duhet të bëjë drejtësi? Janë gjëra për tu parë", deklaroi Bushati.