TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një nga dy autorët për grabitjen e dhunshme të një të moshuare në një fshat të Pukës është arrestuar nga Policia dy vjet pas ngjarjes, ndërsa në kërkim është ende bashkëpunëtori.
Operacioni i koduar “Harresa” çoi në pranga shtetasin me iniciale V. N., 27 vjeç, banues në fshatin Naraç të Vaut të Dejës. Ndaj tij, Gjykata e Pukës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për vjedhje me dhunë, masë e caktuar më 9 korrik të këtij viti. “Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin M. N. (i shpallur në kërkim), më datë 20.08.2020, gjatë natës, në lagjen ‘Kishagji’, në fshatin Kqirë, Pukë, ka hapur me forcë derën e banesës së shtetases M. N., 80 vjeçe, të cilën e kanë goditur dhe më pas kanë marrë shumën 100.000 lekë të rinj në këtë banesë. Vijon puna për kapjen e shtetasit M. N.”, sqaron Policia.
Dy të rinj të paidentifikuar deri pak kohë më parë, hynë në banesën e 70-vjeçares natën e 20 gushtit të dy viteve më parë, duke e dhunuar atë dhe duke i grabitur lekët dhe sendet me vlerë që mbante në shtëpi. Autorët hynë nga pjesa e pasme e banesës ku jetonte e vetme Mrik Ndoja, duke e lidhur atë dhe duke i kërkuar paratë. E moshuara kishte tërhequr lekët e pensionit për tre muaj dhe autorët me sa duket kishin informacion për këtë fakt dhe për këtë arsye shkuan në mes të natës në banesën e saj. E moshuara u godit disa herë nga grabitësit e pamëshirshëm, duke i shkaktuar hematoma, ndërsa pësoi edhe një frakturë në këmbë, brinjë dhe kokë. Më pas, Mrik Ndoja njoftoi komshinjtë, të cilët e ndihmuan dhe njoftuan ambulancën. Pasi mori ndihmë mjekësore në spital, gruaja arriti të mbijetonte, pavarësisht dhunës së ushtruar ndaj saj nga të dy të rinjtë. E moshuara prej 50 vitesh jeton në lagjen “Kashigji”, ndërsa pak vite më parë i ka ndërruar jetë edhe bashkëshorti. Mrik Ndoja ka mbetur e vetme pasi nga martesa e saj nuk pati fëmijë.
E moshuara: Grabitësit më rrahën
E moshuara Mrik Ndoja deklaronte në atë kohë se autorët i kishin hyrë në mes të natës në banesë, duke i kërkuar lekët e pensionit. Ajo deklaronte se në shtëpi kishte edhe lekë që i kishte ruajtur nga ato që ia kishin falur të afërmit dhe se shuma e grabitur ishte rreth 1 milion lekë të vjetër. “Erdhën dhe më thanë paret. I morën. Nuk kisha shumë. Më kanë lidhur gjatë natës. Kanë ardhur dhe më kanë plas në tokë. Më dhunuan se për të më lidhur nuk kisha problem. Jam zgjidhur me dhëmbë. Vetëm Zoti më ka ndihmuar. Nuk i kam njohur. Unë kam qenë në gjumë. Nuk kam fëmijë, as burrë. Erdhën dhe u kapën me një plakë të shkretë. Kam qenë edhe e sëmurë. Policia të gjejë autorët. Nuk i kam bërë gjë kujt. Boll frikë kam. Çfarë të më bëjnë, vetëm të më presin në qafë”, deklaronte e moshuara në atë kohë.