AKTUALITET, 6 Prill 2023, 20:11

"Me 'kinezëri' e ka vënë në një pozitë të vështirë KQZ", ish-ministri i PS për premtimet elektorale dhe gjuhën e Ramës: S'duhet të kishte fare ndërhyrje të kryeministrit në fushatë

"Me 'kinezëri' e ka vënë në një

Ish-ministri i Financave Arben Arben Malaj ka folur sot për situatën politike në vend para zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Premtimet elektorale për pagat dhe pensionet, Malaj i sheh si një inflacion elektoral.

Gjithashtu ai theksoi se kryeministri Edi Rama nuk duhet të ishte përfshirë, pasi janë zgjedhje që duhet të dominohen nga kandidatët dhe jo nga qeveria apo opozita.

“Është diçka që nuk ndodh në vendet me demokraci të konsoliduar  Këto duhet të dominohen nga kandidatët dhe jo nga qeveria po opozita. Pra këto premtimeve që janë bërë nuk ndikojnë mirë në demokracinë e një vendi. Votuesit e tyre nuk janë aq naivë sa ata i mendojnë, dhe që mund të arrijnë t’i mashtrojnë nëpërmjet premtimeve të tyre”, deklaroi Malaj.

Ai tha se të rriten pagat dhe pensionet është e domosdoshme sepse është rritur pabarazia.

"Inflacioni i ushqimor që prek pensionistët apo pagat më ulëta është 28 %. Ndaj dhe BB ka thënë që sistemi i mbrojtjes sociale është i mangët. Këtu është thelluar më shumë pabarazia. Edhe në kohë krizash të pasurit bëhen më të pasur dhe të varfrit më të varfër. Pra rritja pagave duhet të bëhet për të ulur varfërinë. Kur varfëria ulet dhe ndalet thellimi i pabarazisë shoqëria bëhet më solidare dhe ka një qeverisje më efikase. Dhe mbi të gjitha qeveria duhet të dalë me shifra lidhur me rritjen e pagave. Në këtë rast qeveria nuk tregon as faturë dhe as burime. Rritja e pagave pa rritur produktivitetin nesër mund të kthehet në një kosto për Shqipërinë", u shpreh Malaj.

Sa i përket bonusit për pensionistët, ish-ministri tha se taksa duhet të ishte pjesë e buxhetit dhe ne duhet të dimë se sa para do të marrim nga taksat. "Pra duhet të ketë një buxhet afatmesëm dhe pas kësaj ka një buxhet vjetor, dhe nëse nuk i kemi këto, çfarë mund të pritet?", pyet ai. 

Sa i përket gjuhës së kryeministrit Edi Rama pas" tërheqjes së veshit" nga KQZ, Malaj tha se kryeministri duke lozur me fjalën kinezëri e ka vënë në një pozitë të vështirë KQZ

"Loja me fjalët..., kur një gjë ndalet për zgjedhjet e përgjithshme, ndalohet 10 herë për ato vendore. Nuk duhet të kishte fare ndërhyrje të kryeministrit në fushatë, shihet si keqpërdorim", theksoi Malaj.

Kodi Zgjedhor ndalon që katër muaj para zgjedhjeve dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara, ku përfshuhet edhe rritja e pensioneve dhe pagave, por Rama e quajti atë një “kinezëri partish”.