AKTUALITET, 16 Tetor 2025, 12:50

Mbyllen hetimet/ Ekzekutimi i Ramazan Matajt në Dragoç, Prokuroria e Shkodrës dërgon në gjyq dy vëllezërit që e vranë

Mbyllen hetimet/ Ekzekutimi i Ramazan Matajt në Dragoç, Prokuroria e

Pas përfundimit të hetimeve Prokuroria e Shkodrës ka dërguar në gjyq dy vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasa për vrasjen Ramazan Mataj.

Ndaj dy vëllezërve janë ngritur akuzat për kryerjen e veprave penale ‘Vrasja me paramendim’, e kryer në bashkëpunim, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyee dhe municionit’, ‘Prishja e qetësisë publike’, ‘Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje’ dhe ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’.

Ngjarja ndodhi më 4 janar 2025 në fshatin Dragoç, Shkodër, ku Ramazan Mataj u gjet i vrarë brenda një automjeti tip Benz.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq dy vëllezër, shtetasit A.H. dhe K.H., të akuzuar për pesë vepra penale.

Në kuadër të hetimeve mbi ngjarjen e ndodhur në 05.01.2025 ku rreth orës 07:15 në vendin e quajtur ‘Dragoç’ njësia administrative Postribë, Bashkia Shkodër, u vra me armë zjarri në automjetin e tij shtetasi R.M.

Në lidhje me këtë ngjarje pasi janë kryer veprimet hetimore dhe procedurale, për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivin, në përfundim të hetimeve, u morën të pandehur vëllezërit, shtetasit A.H. dhe K.H., të cilët akuzohen për kryerjen e veprave penale ‘Vrasja me paramendim’, e kryer në bashkëpunim, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyee dhe municionit’, ‘Prishja e qetësisë publike’, ‘Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje’ dhe ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’ parashikuar në nenet 78-25, 278/1/4-25, 274-25, 80-25 dhe 301-25 të Kodit Penal.