AKTUALITET, 6 Mars 2023, 11:00

"Lufta" e PD zhvendoset në KQZ, Berisha u regjistrua dje, Alibeaj do të dorëzojë sot dokumentacionin

"Lufta" e PD zhvendoset në KQZ, Berisha u regjistrua dje, Alibeaj

Partia Demokratike e transferon tashmë përballjen në dyert e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Dje, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri dje regjistrimin e PD në zgjedhje ndërsa sot, përfaqësuesi ligjor i Enkelejd Alibeajt, Indrit Sefa do të dorëzojë kërkesën për tu regjistruar në KQZ, 3 ditë pas vendimit të gjykatës së Apelit që ktheu çështjen për rigjykim, duke e lënë PD në zgjedhje me vulën, siglën dhe logon tek Lulzim Basha. 

Por Berisha ka zgjedhur një tjetër rrugë. Ai dorëzoi dje mbrëma dokumentacionin në KQZ, ku u vu re se Berisha firmosi kërkesën për regjistrim si kryetar i Partisë Demokratike dhe i vetmi person me të drejtë ligjore për të bërë regjistrim kandidatësh.

Regjistrimi sipas PD do të bëhet me koalicion, ndërsa pika e ngërçit lidhet me regjistrimin e kandidatëve për këshillat Bashkiakë. 

Tashmë beteja zhvendosur dhe është në KQZ, ku deri më tani janë regjistruar 30 parti për tu regjistruar në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Afati është 6 marsi ndërsa më 15 mars skadon afati për koalicionet dhe më 27 mars për Këshillat Bashkiakë.