AKTUALITET, 3 Maj 2023, 17:40

Lëshuan raport kundrejt 5 mijë lekëve pa vizituar pacientin, dy mjeke në Durrës në telashe me policinë

Lëshuan raport kundrejt 5 mijë lekëve pa vizituar pacientin, dy

Policia e Durrësit ka proceduar penalisht 2 mjeke, të cilët në këmbim të lekëve lëshonin rekomandime për pacientët, pa i vizituar ata.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasen me inicialet S.D., 34 vjeçe, mjeke e përgjithshme në Qendrën Shëndetësore Nr. 5, Durrës, e cila akuzohet se ka pajisur me rekomandim mjekësor një pacient (qytetar i infiltruar nga stafi i një emisioni investigativ), i cili as nuk ishte prezent gjatë vizitës dhe as nuk ishte banor i zonës që mbulon me shërbime.

Po ashtu hetimi ka nisur dhe për 51-vjeçaren me inicialet G. G., banuese në Durrës, pasi dyshohet se ka plotësuar një dokument për përcaktimin e diagnozës mjekësore të një pacienti (qytetar i infiltruar nga stafi i emisionit investigativ), në këmbim të shumës së parave 5000 lekë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.