AKTUALITET, 3 Maj 2023, 16:24

Takim me ish-të përndjekurit/ Alibeaj 'shigjeton' Berishën: Si mundet një sekretar partie të jetë ende figurë qendrore e politikës?!

Takim me ish-të përndjekurit/ Alibeaj 'shigjeton'

Demokrati Enkelejd Alibeaj zhvilloi sot një takim me të përndjekurit politikë, ndërsa nuk i kurseu ironitë dhe akuzat për kreun e opozitës, Sali Berisha.

Alibeaj vuri theksin te domosdoshmëria e distancimit nga politika e së shkuarës, ku mori si shembull rastin e Sali Berishës, që sipas tij ka qenë një ish-Sekretari i Partisë Komuniste që është në qendër të politikës.

“Po si mund të vazhdojë ende sot një sekretar partie, ai që kemi pasur ne lider historik, kryetar partie një sekretar i Partisë së Punës, të vazhdojë të jetë ende figurë qendrore e politikës. Është edhe paaftësia, pamundësia, mosgjetja e kurajës brenda Partisë Demokratike për të bërë një distancim të tillë. Mesa duket metastazat e psikozës komuniste në këto 33 vite kanë qenë thjesht dhe vetëm në letargji. Kemi ecur gjithmonë me idenë se me kalimin e kohës do të fshihej, do të humbiste, do të tretej mentaliteti sovjetik, mentaliteti komunist. Ja ku erdhi koha, pas 33 vitesh, në një moment ku u ndjenë të rrezikuar dhe u ndjenë të rrezikuar në fakt për shkak të asaj se çfarë ka qenë qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe kur doli në pah reagimi sovjetik i një përfaqësuesi, i fshehur brenda Partisë Demokratike. Po si mund të vazhdojë të jetë figurë qendrore një individ si Ilir Meta?! I cili përveç të shkuarës së majtë dhe që nuk e fsheh, mbart me vete, ka veshur me vete edhe atë që është ves i politikës shqiptare, të qenit dhe të konsideruarit të politikës si një mejdan ku bëhen vetëm pazare. E pra, të gjitha këto nuk janë gjë tjetër, veçse dhe një shtysë shtesë edhe në këtë fushatë zgjedhore, ky komponent. Komponenti i dekomunistizimit si një nevojë e cila është shtyrë në kohë dhe nuk është bërë asnjëherë, por ka dhe aktualitetin e vet”, tha Alibeaj.

Teksa foli në lidhje me dekomunistizimin dhe kurimin e së shkuarës me të përndjekurit, Alibeaj tha se ka dalë në pah “komponenti i nevojës së dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare”.

“Në fakt e gjej shumë  me vend të flasim për një çështje të tillë siç është ajo e antikomunizmit apo e dekomunistizimit, quajeni si të doni në mes të kësaj fushate, sepse kam përshtypje, kam bindjen në fakt që e gjitha kjo fushatë po zhvillohet në fakt nën shenjën e antikomunizmit. Po të shihni dhe trajektoren e zhvillimeve të fundit në Partinë Demokratike, parti e cila pretendonte të ishte bartësja këtu e 33 vite më parë e dozës, nevojës, interesit për dekomunistizimin e Shqipërisë, në fakt sipas asaj çfarë unë shoh dhe sipas asaj çfarë publiku është duke përjetuar, vetëm këtë një vit e gjysmë dy ndoshta, realisht ka dalë në pah edhe ky komponent. Komponenti i nevojës së dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare”, pohoi ai.

Po ashtu, Alibeaj vlerësoi punën e deputetëve të PD-së gjatë një viti që shkoi në lidhje me iniciativa për ligjin e hapjeve të dosjeve të spiunëve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe propozimeve për shpalljen muze të burgut të Spaçit dhe Kampit të Tepelenës.