TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Individët e punësuar me të ardhura vjetore deri në 1.2 milionë lekë, si dhe ata mbi këtë prag, do të kenë të drejtë të përfitojnë zbritje tatimore për fëmijët në ngarkim, përmes plotësimit të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave, DIVA 2025, e cila duhet dorëzuar deri më 31 mars.
Drejtoresha e Proceseve të Biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Rezana Çelmeta, sqaroi procedurën e aplikimit për rimbursim.
“Për të gjithë individët që po plotësojnë DIVA-n, si ata me të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë që kanë të drejtën e përfitimit të zbritjes për numrin e fëmijëve në ngarkim, ashtu edhe ata me të ardhura nën 1.2 milionë lekë, të cilët përveç zbritjes për fëmijët në ngarkim mund të përfitojnë edhe zbritje tatimore për shpenzimet arsimore,” u shpreh Çelmeta. Ajo sqaroi se për zbritjet tatimore lidhur me shpenzimet arsimore duhet të ngarkohen faturat përkatëse, të cilat duhet të jenë të fiskalizuara. Sipas saj, njihen edhe shpenzimet për kurse të ndryshme.
“Shpenzimet arsimore që kanë faturë të fiskalizuar përbëjnë dokumentin e vetëm ligjor për njohjen e tyre. Dokumente mbështetëse mund të jenë edhe kontratat nga institucionet përkatëse. Nuk kufizohemi vetëm te shërbimet shkollore, por përfshihen edhe ato parashkollore dhe kurse të ndryshme,” theksoi ajo. Deri më tani janë plotësuar rreth 30 mijë deklarata, ndërsa pritet që numri i tyre të arrijë në 200 mijë.
“Aktualisht janë plotësuar 30 mijë deklarata dhe presim rreth 200 mijë. Rritja lidhet me përfitimin e zbritjeve tatimore për herë të parë. Masa e rimbursimit varet nga numri i fëmijëve në ngarkim dhe shpenzimet e deklaruara. Llogaritjet kryhen në sistem dhe më pas verifikohet rezultati. Shuma përfundimtare varet nga kohëzgjatja e punësimit dhe lloji i të ardhurave të realizuara. Aplikimi kryhet nga individi që ka të ardhurat më të larta në familje,” sqaroi Çelmeta. Të gjithë tatimpaguesit mund të verifikojnë në mënyrë të thjeshtuar nëse kanë detyrim për të plotësuar DIVA 2025 përmes shërbimit elektronik të Administratës Tatimore, “Tax Test”, i cili synon të informojë dhe të ndihmojë individët që kanë paqartësi lidhur me këtë proces.