AKTUALITET, 19 Shkurt 2026, 14:17

“Nuk e prish unë procesin e integrimit”, Spiropali ironizon deputeten e PD-së: Është e shqetësuar për pengesat që na dalin. Rrini të qetë, negociatat do të mbyllen!

“Nuk e prish unë procesin e integrimit”, Spiropali ironizon

Nga seanca plenare ku prezantoi projektligjin për Shërbimin e Jashtëm, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi se raportet ndërkombëtare për Shqipërinë tregojnë se vendi po bën progres në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Duke iu drejtuar deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, Spiropali tha se askush nuk mund ta mbajë peng procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe se negociatat me BE-në do të mbyllen brenda vitit 2027.

“Jo vetëm që nuk ka mbrojtje për askënd, por as akuzat nuk i bëjmë ne, as në gjykatë nuk i mbrojmë ne, as institucionet e pavarura nuk i kontrollojmë ne. Ne shohim raportin e progresit të BE-së, që si duket nuk e keni lexuar. Sa herë një raport nuk ka folur në favorin tuaj, ju i keni shpallur autorët si shokë partie. Drafti do t’i paraqitet Parlamentit Europian dhe do të jetë ai që do të miratohet. Aty del qartë se Shqipëria, vit pas viti, bën progres. Jorida e di që është e shqetësuar për çështjen e pengesave që i dalin Shqipërisë, por asnjë njeri, asnjë çështje dhe asnjë parti nuk mund ta mbajë peng këtë proces. Mund të rrini të qetë se do t’i mbyllim negociatat me BE-në brenda vitit 2027”, u shpreh Spiropali.

Nga ana tjetër, Tabaku theksoi se debati duhet të ishte për procesin e integrimit dhe përmbushjen e detyrimeve.

“Ky duhet të ishte një debat për procesin e integrimit. Sot ndodhemi në një moment të vështirë. Nuk e prish unë procesin kur komunikoj dhe ngre shqetësime, por ju që nuk zbatoni detyrimet që keni marrë përsipër. Lufta ndaj korrupsionit është rruga kryesore për të shkuar në BE. Raporti ju thotë se pengesa më e madhe sot është mbrojtja politike që ky Parlament po i bën mandatit të zëvendëskryeministres. Prej dy muajsh po e tërhiqni zvarrë. Nuk ka asnjë vend në rajon që ka pasur rekordin negativ që ka pasur Shqipëria. Për këtë duhet të keni ju turp”, u shpreh Tabaku.