AKTUALITET, 11 Dhjetor 2025, 12:25

Kush ishte më i mirë si drejtues, Kraja apo Dumani? Musabelliu: Nuk e krahasoj veten me askënd! Kurrë!

Kush ishte më i mirë si drejtues, Kraja apo Dumani? Musabelliu: Nuk e

Anëtarja e KLP-së dhe kandidate për kreun e SPAK, Doloreza Musabelliu, është pyetur mbi krahasimin mes drejtuesve të mëparshëm, Altin Dumanit dhe Arben Krajës. Ajo tha se një krahasim i tillë është i vështirë dhe mund të jetë i padrejtë, pasi të dy kanë punuar në kushte të ndryshme.

E pyetur sa i përket të mirave dhe të “metave” që nuk do të dëshironte t’i merrte nga paraardhësit e saj, Musabelliu u shpreh se nuk ka praktikuar kurrë në jetën e saj profesionale apo personale krahasimin me të tjerët, duke theksuar se çdo individ ka personalitetin, stilin dhe aftësitë e veta.

“Në këndvështrimin tim, të bësh një krahasim mes dy drejtuesve që kanë qenë në periudha të ndryshme është e vështirë ta bësh, sepse iu heq ose shton merita kot. Kur u zgjodh zoti Kraja ishim në fillim, ndryshuam godinën, nuk kishim hetuesit, pastaj ishte periudha e Covidit. Të bësh krahasime duhet të jenë kushtet e njëjta. Unë e vlerësoj edhe z. Kraja dhe Dumanin, por nuk kanë punuar në kushte të njëjta dhe nuk bëj dot krahasime sepse do të ishte padrejtësi, dhe unë padrejtësitë nuk i toleroj në veprimtarinë time,” u shpreh Musabelliu.

Ajo shtoi se nuk e krahason veten me të tjerët dhe fokusohet te puna dhe integriteti: “Për të dalë te vetja ime, asnjëherë nuk e krahasoj veten time me një person tjetër. Unë bëj atë që mundem të bëj, bëj të mirën time, maksimumin tim, por nuk krahasoj se e kam bërë si ky, apo do e bëj si ai. Unë respektoj Kushtetutën me paanshmëri, por krahasime nuk bëj.”

Më tej për Dumanin dhe Krajën tha se “kanë pasur komunikim efektiv me stafin, duke i nxitur të ecin para me çështjet që mund të ishin në fazën e përfundimit. Këtë e kanë pasur të dy. Në kohën e Dumanit kishin çështje që ishin pjekur. Çështjet zgjasin shumë, mund të dijë 2 ose 3 vite për tu krijuar të gjitha kushtet dhe të shkosh drejt kualifikimit të veprës penale. Në kohën e Dumanit pati çështje që evoluuan shumë dhe pati guximin ti çonte para”.

Musabelliu tha se pika e fortë e saj është komunikimi me kolegët, ndërsa shtoi se është mësuar ti bëjë ballë presioneve.

“Karakteristika ime nëse do jem drejtuese, jam njeri i pavarur, i vendosur, kam element të fortë komunikimin me kolegët. Cilësi të domosdoshëm prej drejtuesve. Presioneve jam mësuar ti bëj ballë”, theksoi prokurorja e SPAK.