TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ekspozimi ndaj gazit lotsjellës dhe sprajit me piper mund të shkaktojë irritime të syve, lëkurës dhe rrugëve të frymëmarrjes. Mjekja pediatre Lori Gjoni, ngriti shqetësimin në Dita Jonë, për pasojat shëndetësore te të rinjtë dhe adoleshentët, të cilët janë ekspozuar ndaj këtyre substancave gjatë protestave në Tiranë.
Sipas mjekes, kontakti me gazrat irritues mund të shkaktojë shikim të turbullt, djegie, lotim dhe ndjesinë e pranisë së një trupi të huaj në sy. Ndërsa në lëkurë, këto substanca mund të shkaktojnë djegie, irritime dhe reaksione alergjike, ndërsa në rrugët e frymëmarrjes mund të sjellin vështirësi respiratore.
“Shikimi i turbullt, ndjesia e djegies dhe lotimi” janë ndër shqetësimet që mund të shfaqen pas kontaktit të syve me gazrat, u shpreh mjekja në Dita Jonë, duke theksuar se vlerësimi i dëmtimeve specifike okulare duhet të kryhet nga mjeku specialist.
Mjekja Gjoni paralajmëroi se ekspozimi i përsëritur, veçanërisht për periudha të gjata, mund të përkeqësojë problemet shëndetësore. Ajo theksoi se personat me probleme kronike të aparatit të frymëmarrjes mund të jenë më të rrezikuar nga komplikacionet.
Ajo bëri thirrje për uljen e tensioneve dhe shmangien e ekspozimit të të rinjve ndaj substancave irrituese, duke e vënë theksin te mbrojtja e shëndetit.