AKTUALITET, 26 Mars 2022, 18:36

Kryemadhi: Nuk do të kandidoj për një mandat tjetër në krye të LSI-së! Kemi një rrugë të gjatë për shkak të pabesisë së Lulzim Bashës

Kryemadhi: Nuk do të kandidoj për një mandat tjetër në

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka deklaruar pasditen e sotme se nuk do të kandidojë për një mandat tjetër në krye të LSI-së.

Ajo tha në News 24 se është ngritur një strukturë e re që po punon për të hartuar disa politika të reja.

“Nuk kam ndërmend të kandidoj për mandat tjetër. Konventa është në proces përgatitje. Është ngritur një strukturë e re që po punon për të hartuar disa politika të reja për t’i implementuar jo vetëm brenda LSI por edhe për të avancuar më tepër me programin tonë ekonomik”, u shpreh Kryemadhi.

Ajo tha se do të vazhdojë të jetë aktive në politikë duke u marrë me pjesën e organizimit.

“Unë do të kem pozicionet e mia. Do të kem angazhimin tim. Do të jem aktive në politikë. Ndoshta jo aktive në takimet diplomatike por do të jem aty ku unë jap më të mirë në rrugët e organizimit. Ndoshta do të jetë një rrugë e gjatë që na e zgjati Lulzim Basha të gjithëve. Tani na duhet të gjithë shqiptarëve të besojmë njëri-tjetrin sepse jemi përballur me pabesinë e zotit Basha”, deklaroi ajo.