AKTUALITET, 26 Mars 2022, 18:05

“Dorëheqja e vonuar”, Kryemadhi: Tradhtia e Bashës dëmtoi LSI-në, "faturën" do ta paguaj me karrierën time politike

“Dorëheqja e vonuar”, Kryemadhi: Tradhtia e Bashës

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, komentoi në emisionin “Kjo Javë” në News 24, dorëheqjen e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike.

Kryemadhi u shpreh se dorëheqja ishte një veprim shumë i vonuar, teksa shtoi se tradhtinë e Lulzim Bashës ndaj LSI-së do ta paguajë vetë ajo me karrierën e saj politike, pasi LSI me 107 mijë vota më 25 prill, arriti të kishte vetëm 4 mandate deputeti në parlament.

“Nuk e kam ndjekur në asnjë moment fjalimin e zoti Basha. Një veprim shumë i vonuar. Unë nuk jam askushi të komentojë se ç’ndodh apo ka ndodhur në PD, por mund të them se tradhtia e zotit Basha dëmtoi LSI-në në maksimum.

Sot LSI me 107 mijë vota ka 4 mandate dhe kjo është një nga faturat që do ta paguajë Monika Kryemadhi me karrierën e saj politike, duke i besuar të gjithë atë arsenal të rinjsh dhe të rejash të LSI-së, një dordoleci politik që ishte peng i interesave financiare të familjes së tij, por edhe të veprimeve politike të pamenduara.

Dua të them që dorëheqja e tij, me sa pashë, kishte sa më shumë hallë si do të dilte imazhi mediatik, se sa ajo që thoshte. Është një preceptimi i imi që ai ka qenë sipërfaqësor në lidhje me opozitarizmin dhe interesat e vendit, por nuk ka qenë asnjëherë sipërfaqësor me interesat e tij dhe funksionin e grupeve të tjera pas tij”, tha Kryemadhi.