AKTUALITET, 8 Mars 2024, 11:32

Kriza parlamentare/ Zbardhet negociatat e ‘fshehta’, Nikolla takon Bardhin dhe krerët e Grupeve Parlamentare! Tre kërkesat e opozitës

Kriza parlamentare/ Zbardhet negociatat e ‘fshehta’, Nikolla takon

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka mbledhur krerët e grupeve parlamentare për zgjidhur ngërçin politik të krijuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe në Komisionet Parlamentare.

Gazetari Osman Stafa, ka zbardhur negociatat e ‘fshehta’ gjatë takimit që zgjati 3 orë ku ishin të pranishëm Bledi Çuçi, Gazment Bardhi, Dashamir Shehi dhe Mesila Doda.

Gjatë mbledhjes, kryetarja e Kuvendit u ka kërkuar kryetareve të grupeve parlamentare që të gjejnë një zgjidhje për krizën parlamentare. Palët kanë nisur negociatat për zgjidhjen e ngërçit politik pas 5 muajsh.

Sipas burimeve, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka kërkuar ngritjen e disa komisioneve hetimore parlamentare, bashkëkryetarin e reformës zgjedhore, si dhe të merren në konsideratë nismat ligjore të propozuara në Kuvend nga deputetët e opozitës.

Negociatat mes palëve politike, duket se jenë nxitur edhe nga faktori ndërkombëtar, ku bëhet me dije, se eksponentë të të dyja kampeve, janë ftuar nëpër seli diplomatike dhe u është kërkuar të gjejnë rrugën për zgjidhjen e krizës.