AKTUALITET, 20 Dhjetor 2021, 11:26

Koronavirusi, Silva Bino: Pse duhet marrë doza e tretë e vaksinës

Koronavirusi, Silva Bino: Pse duhet marrë doza e tretë e vaksinës

Shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik Silva Bino ka rreshtuar disa nga arsyet pse është e rëndësishme të merret doza e tretë të vaksinës.

Në një videomesazh të shpërndarë nga ministria e Shëndetësisë, Bino thekson se ata që kanë marrë dozën e dytë deri në gjashtë muaj përpara duhet patjetër të vaksinohen me dozën e tretë për shkak se imuniteti fillon dhe ulet.

“Të gjithë qytetarët që kanë kryer dozën e dytë para gjashtë muajsh duhet patjetër të marrin dozën e tretë. Ajo është e rëndësishme për faktin se imuniteti ndaj COVID i shkaktuar nga vaksina fillon dhe ulet.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh pasi për një seri sëmundjesh infektive, kalendarët e vaksinimit krijohen duke u mbështetur në eksperiencë”, deklaroi Bino.

Ajo mori shembullin e disa vaksinave të tjera që ne marrim, dozat e të cilave injektohen në bazë të një kalendari vaksinimi të mbështetur në eksperiencë.

“Për shembull për tetanozin ne vaksinohemi 6-7 herë. Për polomelitin vaksinohemi pesë herë. Për sëmundje të tjera vaksinohemi disa herë. Kjo sepse imuniteti fillon dhe ulet dhe ka nevojë për doza përforcuese.

Doza e tretë përforcuese na siguron ndaj formave të rënda të sëmundjes dhe ka ndikim të rëndësishëm në mosshfaqjen e infeksionit. Doza përforcuese ul kohëzgjatjen e mbajtjes së virusit.

Nëse një njeri i vaksinuar infektohet, nuk shfaq shenja klinike dhe transmeton më pak virusin. Doza e tretë përforcuese ka një seri gjërash që bëjnë që kjo pandemi të kontrollohet dhe ne të kthehemi në jetën tonë”, shprehet Bino.