TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Të tjera detaje kanë dalë nga ngjarja tronditëse e tre ditëve më parë në Tepelenë, ku mbeti i vrarë biznesmeni italian Edoardo Sarchi.
Pas kësaj ngjarje të rëndë ku një shëtitje për gjah përfundoi në tragjedi fshihet një motiv krejtësisht banal.
48-vjeçari Kamber Sulçaj nga Mesapiku i Vlorës ka qenë duke lëvizur me makinë në të njëjtin aks më biznesmenin i cili së bashku me miqtë e tij po ktheheshin nga gjahu.
Dritat e gjata të Land Roverit të italianit krijuan shqetësim tek autori Kamber Suçaj çka bëri që mes tyre të niste një konflikt që degradoi në ofendime mes palëve.
Pas këtij momenti 48-vjeçari ka gjurmuar makinën e biznesmenit . Ai u ka zënë pritë në zonën e njohur si Qafa e Dilanit dhe ka hapur zjarr ndaj automjeteve.
Pasagjerët kanë arritur të braktisin mjetet dhe të hidhen në kanal për t’i shpëtuar plumbave, por biznesmeni mbeti për rreth 40 minuta i bllokuar mes breshërisë, pa mundur të lëvizte. Mjaftoi një plumb rikoshet që t’i merrte jetën.
Për disa minuta, Kamber Sulçaj nuk i ka lënë të lëvizin, pasi ka vijuar të qëllojë në drejtim të tyre. Pasi është larguar, makinën e ka fshehur në një zonë të thellë poshtë një peme.
Sipas burimeve, 2 dëshmitarë që kishin kaluar rastësisht në rrugë me motoçikletë, dhe kanë dëgjuar sherrin, që më pas përfundoi me të shtëna me armë, dhanë dëshminë kyçe që bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit.
Dëshmitarët kanë treguar se nuk kishin mundur të shihnin personat për shkak të errësirës, por kishin dëgjuar debatin mes tyre dhe më pas të shtënat e armës. Ata i treguan policisë tipin e automjetit të të dyshuarit, makinën e bardhë me karroceri, dhe targat, të cilat më pas përputheshin me pamjet e kamerave në distancë.
Nga ekspertiza paraprake, mjekësia ligjore zbuloi se italiani Sarchi u qëllua me një plumb në pjesën e sipërme të kofshës. Plumbi ishte tejshpues, nga pjesa e pasme dhe ka dal para. Fillimisht, personat që e shoqëronin i kanë dhënë ndihmën e parë duke i lidhur këmbën, por për shkak se plaga ishte e madhe, Sarchi humbi shumë gjak, çfarë i shkaktoi edhe vdekjen. Të njëjtat burime sqarojnë se po sipas ekspertizës, autori ka përdorur për të kryer krimin një armë zjarri pushkë me viaska me dylbi nate, nga ajo që përdoret për gjuetinë e derrave. Pavarësisht kontrolleve, autori nuk është mundur të gjendet, por banorët, ose njerëzit që e njihnin, e përshkruajnë si person që kishte varësi nga alkooli, dhe kur ishte në gjendje të dehur shfaqte shenja të rënda agresiviteti. Madje, edhe në momentin e krimit, dyshohet se ishte në gjendje të dehur.
Fillimisht, personat që u shoqëruan në polici u dyshuan si autorë nga hetuesit, por dëshmitë e dëshmitarëve që panë sherrin, përputheshin me dëshmitë e tyre. Megjithatë, edhe përgjigja e mjekësisë ligjore i përjashtoi nga të qenit të dyshuar, për shkak të armës që ishte qëlluar Sarchi. Arma e krimit nuk është gjetur, por në vendin ku policia gjeti makinën, u gjetën edhe sende të tjera me rëndësi. Mes tyre një dylbi që dyshohet se është e armës së krimit, që Kamber Sulçaj e ka marrë me vete. Po ashtu, një tjetër provë me rëndësi për hetimin është edhe një dokument leje e armës pushkë me viaska me dylbi nate, në emër të tij, e cila përputhet me armën e krimit.
48-vjeçari, i cili është i shpallur në kërkim rezulton që të jetë aksioner në një gurore në Brataj të Selenicës në Vlorë, të quajtur ‘Stone Quramenga”.
Në këtë gurore është aksioner me 25%, së bashku me babain e tij Delo Sulçaj i cili ka 20% të aksioneve dhe vëllain Akil alias Ermal Sulçaj me 15% të aksioneve, si dhe dy persona të tjerë.
Kamber Sulçaj po ashtu posedon edhe një stan me bagëti.
Në maj të vitit 2021, në Vlorë u arrestua vëllai tjetër i Kamber Sulçajt, Gazmendi, së bashku me një kushëri të tyre Roel Sulçajn. Këta të dy u kapën me 2632 fara kanabisi të cilat do t’i shisnin me qëllim kultivimin.