AKTUALITET, 29 Shtator 2025, 23:06

"Pse nuk nxirrni një kandidat dhe t’i imponoheni PD-së?", Mërtiri pyet Shehajn për zgjedhjet në bashkinë e Tiranës

"Pse nuk nxirrni një kandidat dhe t’i imponoheni

Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, i pyetur nga analisti Ergys Mërtiri, pse partitë e vogla nuk dalin me një kandidat të tyrin për bashkinë e Tiranës, u shpreh se të gjitha forcat politike së bashku nuk arrijnë të mundin PS-në e Ramës, ndaj duhet një kandidat përtej partive politike.

Biseda

Shehaj: Opozita nëse do që të fitojë përballë Edi Ramës duhet të dalë me një kandidat jashtë partive politike. Kjo është ajo që unë kam propozuar. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të kemi shanse që të fitojmë.

Mërtiri: Po pse jashtë të gjitha partive, pse jo nga partitë e vogla?

Shehaj: Sepse para 4 muajsh ne kemi patur zgjedhje. PS ka marrë 49 për qind të votave, PSD ka marrë 2-3 për qind, në bashkinë e Tiranës. Tani sikur ne të bëjmë bashkë të gjitha votat e partive politike, ne nuk e mundim dot Ramën. Prandaj duhet të marrim vota përtej partive politike. E kemi provuar me partinë më të madhe opozitare dhe kur ka dalë me kandidatin e PD-së nuk ka arritur të fitojë. Mendoj se kjo është e vetmja mënyrë dhe nuk është kusht që e vendos unë. Se nuk jam askushi me 6 për qind që kam marrë në bashkinë e Tiranës dhe nuk vendosim dot kushte.

Mërtiri: Kështu siç e thoni ju duket sikur thoni se ne nuk prodhojmë dot elektorat. Pse ju partitë e reja nuk nxirrni një kandidat të përbashkët dhe t’i imponoheni PD-së që mbështet këtë sepse ky është kandidati që mund të maksimalizojë votën për të djathtën?

Shehaj: PD mund të thotë unë kam marrë 32 për qind të vota, kush jeni ju që vendosni kushte?

Mërtiri: Po ti ke marrë 32 për qind por piji lëngun atij 32 përindshit.

Shehaj: PD mund të thotë pse duhet tia bëjmë këtë nder partisë “Mundësia”? Çështja është se kur ke mundësi për të nxjerrë një kandidat që nuk është i asnjë partie politike, pse duhet të futemi në sherr? Se këtë po i themi PD-së që mos vazhdo me kokën tënde, por nuk mund t’i themi vazhdo me kokën time.

Mërtiri: PD ka 32 për qind që nuk e rrëzon dot PS-në dhe do të dalë edhe më keq se pesimizmi nga 11 maji do të prodhojë një rezultat edhe më të keq. Në këto kushte ti kandidon për të rrëzuar Ramën, jo për të qenë i dyti dhe në këtë kuptim PD-së i duhen votat e të tjerëve dhe të prodhojë një forcë që mund të konkurojë me Ramën. Pra pa ju ajo nuk bën dot. Shqiptarët, një pjesë e duan PD-në dhe do të votojnë për të çfarëdo që të ndodhë, por ka një pjesë tjetër që thotë se sa të jetë Berisha aty nuk ia japim votën. Ndaj them se ju duhet të nxirrni një kandidat të partive të vogla dhe PD të mbështesë kandidatin tuaj se ndryshe ti nuk fiton kurrë.