AKTUALITET, 29 Shtator 2025, 22:49

"A e pranoni Ilda Zhulalin kandidate?"/ Shehaj pranon të mbështesë një kandidat të përbashkët, por me një kusht themelor!

"A e pranoni Ilda Zhulalin kandidate?"/ Shehaj pranon të

Kreu i Partisë Mundësia, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka përjashtuar mbështetjen e një kandidati të përbashkët të opozitës, nëse ai vjen nga një parti politike. Shehaj deklaroi se do të pranonte një kandidat që nuk vjen nga një parti politike, për ta mbështetur si një kandidat të përbashkët, që pastaj opozita të ketë shanse për garën që do të zvhillohet. Ai shtoi se ka disa emra që partia Mundësia mund t'i propozojë, por ata nuk vijnë nga kjo parti dhe janë qytetarë pa lidhje partiake. 

Pjesë nga biseda: 

Andi Tela: Ju keni që në gusht që e keni propozuar këtë. Pyetja është, partia Mundësia do të hyjë në zgjedhje apo jo?

Agron Shehaj: Ka pak ditë që PD ka pranuar të fillojë të flasë. Ne si parti, po kërkojmë të japim një zgjidhje, sepse e kemi të thjeshtë të themi do të futemi. Unë nuk i shmangem garave, kam dalë vetëm para Bashës, kur ishin të gjithë me Bashën. Çështja është, jemi këtu për të propozuar zgjidhje.

Andi Tela: Ju vetë si parti a hyni?

Agron Shehaj: Unë them cila është zgjidhja për tu futur në garë dhe për të fituar. Do të punojmë që kjo të ndodh. Në momentin që do të jemi përballë faktit që kjo nuk pranohet, do të mblidhemi dhe ka shumë gjasa të futemi, sepse ne kemi projekt politik afatgjatë.

Andi Tela: Ju do të hyni për të fituar jo vetëm për të marrë pjesë. Ju e dini që mundësitë tuaja janë te 6%. Atij 32% ose do ti heqësh vota, por nuk do ti shtosh. A do të hyni me kandidat tuajin?

Agron Shehaj: Po përpiqemi që opozita të dalë me kandidat që mund të fitojë.

Ylli Rakipi: Kam dëgjuar që kandidate e PD, do të jetë një zonjë e nderuar, Ilda Zhulali. Nëse është Zhulali, ju i bashkoheni opozitës?

Agron Shehaj: Jemi në fazën e diskutimeve se si do të hyjmë në zgjedhje, me kandidat jashtë partive. 

Ylli Rakipi: Kjo është zonjë e respektuar.

Agron Shehaj: Jemi duke u përpjekur të nxjerrim kandidat jo politik. Kemi mbajtur qëndrim parimor. Siç përjashtova veten, përjashtoj këdo që është anëtar i një partie politike. Kemi emra për të propozuar dhe ju garantoj se janë njerëz me integritet, që bëjnë një kontrast të jashtëzakonshëm. Nuk janë të partisë Mundësia. Jam i bindur që kanë shumë mundësi të fitojnë dhe janë të gatshëm të futen. Ne mund të zgjedhim midis figurave të tilla.