AKTUALITET, 16 Nëntor 2022, 16:35

Koncensioni 320 mln euro për aksin Lekaj-Fier/ PD: 50% më e shtrenjtë se sa është vlerësuar në studimin e fizibilitetit! 1km rrugë, 4-fish më shtrenjtë se në BE

Koncensioni 320 mln euro për aksin Lekaj-Fier/ PD: 50% më e

Shefi i Organizimit në PD, Klevis Balliu ka akuzuar qeverinë për projektin e autostradës Milot-Fier, më konkretisht për një pjesë të projektit, atë të aksit Lekaj Fier e cila është dhënë me koncension për 320 milionë euro shtesë.

Në një deklaratë nga selia e PD-së, Balliu tha se kjo kosto është 50% më e shtrenjtë se sa ishte vlerësuar në studimin e fizibilitetit.

Sipas Balliut, 1 kilometër rrugë në Shqipëri kushton 3-4 fish më shtrenjtë se sa në vendet e Bashkimit Europian.

Deklaratë e Shefit të Organizimit, Klevis Balliu

Vjedhjet e çarter-qeverisë nuk kanë të ndaluar. Abuzimit ekzistues me dy segmente të autostradës Milot-Fier, për të cilën janë akorduar 837 milion euro, sikur të mos mjaftonin, i shtohen edhe një treqindshe tjetër. 

Kështu segmenti Lekaj -Fier do të rifinancohet me një kosto shtesë prej 320 milion euro. Në total, të paktën deri tani- sepse nuk mund të përjashtohen që gjatë rrugës kosto të ‘rilindin’, bëhet fjalë për 90 km rrugë dhe 837 milion euro.   

Duhet të theksojmë se të dy segmentet e kësaj rruge, të dhëna me koncesion, janë të paktën 40-50% më të shtrenjta se sa është vlerësuar në studimin e fizibilitetit.   

Nuk janë këto kostot e vetme për qytetatët shqiptarë, të cilëve 1 km rrugë në fushë u kushton 3-4 fish më shumë se në një vend të BE. 

Pas përfundimit të Milot-Fier kjo rrugë do të jetë me pagesë, ashtu si dhe Rruga e Kombit. Kësisoj qytetarëve shqiptarë u duhet të paguajnë tri herë për të njëjtën rrugë: për kostot e saj, vjedhjet e qeverisë dhe pastaj për të udhëtuar në të. 

Këto janë rrugët pa krye të Edi Ramës që kthehen në humnera financiare për takspaguesit shqiptarë. 

Partia Demokratike u kërkon organeve të drejtësisë të nisin hetimet për këtë abuzim të ri, i cili, pikërisht se ka precedentë, duke mos qenë i pari, e bën edhe më të rëndë dhe fyese shkeljen. 

I kuptojmë opinionit publik se ne jemi forca politike qeveria e së cilës ndërtoi Rrugën e Kombit, mes maleve më të ashpra të Ballkanit, me dyfishin e gjatësisë së Milot-Fier, dhe të njëjtat kosto. 

Ky është standardi ynë. Me qeveri që kanë vjedhjen të vetmin standard, Shqipëria është në rrezik.