AKTUALITET, 29 Korrik 2025, 18:49

Kishte kaluar vettingun në shkallën e parë, KPA shkarkon nga detyra prokuroren e Tiranës, motra e ish-deputetes së PS

Kishte kaluar vettingun në shkallën e parë, KPA shkarkon nga

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra prokuroren e Tiranës, Eranda Laze.

Trupi gjykues i Kolegjit arriti në përfundimin se prokurorja Eranda Laze gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për pasurinë dhe u vendos ndryshimi i vendimmarrjes së Komisionit e shkarkimi nga detyra i këtij subjekti rivlerësimi.

Laze, motra e ish-deputetes së PS Ermonela Felaj u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 8 nëntor të vitit të kaluar.

Gjatë hetimit administrativ në KPK, ajo e kundërshtoi bilancin negativ në masën 10 milionë lekë, si dhe gjetjet për udhëtime me persona të përfshirë në krimin e organizuar, duke kërkuar konfirmimin.

Shumica e trupës së KPK i gjeti bindëse shpjegimet dhe provat e dorëzuara nga subjekti, duke e reduktuar pamundësinë në rreth 1.5 milionë lekë, që u konsiderua në përfundim jo penalizues.

Vendimi i shumicës së Komisionit u gjet i pabazuar dhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që pasi evidentoi probleme për pasurinë dhe etikën, u kërkoi Komisionerëve Publikë përmes një rekomandimi, që të ushtronin ankim në Kolegj.