AKTUALITET, 2 Shkurt 2022, 10:42

Kërpudhat, grumbullojmë mes 20-40 tonë, studimi: Investimi në përpunim do të rriste dukshëm vlerën e shtuar

Kërpudhat, grumbullojmë mes 20-40 tonë, studimi: Investimi

Kultivimi i kërpudhave në Shqipëri mbetet një aktivitet ende i kufizuar ndërkohë që një pjesë e mirë e këtij produkti mblidhet në natyrë.

Një studim sektorial i Ministrisë së Bujqësisë i cili ndalet tek diversifikimi merr në analizë ecurinë aktuale si dhe potencialin që mund të ketë sektori nëse investohet.

Kështu sipas studimit sasia e grumbulluar e kërpudhave në vend është luhatur, nga 20 deri në 40 tonë.

“Një pjesë e madhe e kërpudhave mblidhen gjithashtu në Pukë, zonat kodrinore të Lezhës, Prespës dhe zonat malore të Korçës dhe Librazhdit.

Puka njihet sasinë e madhe të kërpudhave të rritura në natyrë si dhe shumëllojshmërinë e tyre.

Shumë kërpudha të egra rriten gjatë gjithë territorit të Pukës. Ka më shumë se 10 lloje kërpudhash të ngrënshme dhe 15 lloje helmuese.

Më së shumti kërpudhat e egra të mbledhura/tregtueshme shpesh janë si më poshtë: Boletus (Boletus edulis), Chanterelle (Cantharellus cibarius), agarikë mbretërorë (Craterelluscornucopoides), Morel (Morchellaconica) dhe kërpudha Caesars (Amanita Cezarea).

Për shumicën e familjeve rurale në Shqipëri, kërpudha është gjithashtu një produkt shumë i rëndësishëm duke pasur parasysh mundësitë e drejtpërdrejta për shitje në dyqan të specializuar dhe HoReCa.

Mbledhësit dhe konsoliduesit prokurojnë produktin e mbledhur bazuar në pagesa sipas rastit dhe përdorin automjete të vogla (maksimumi 2 ton) për shitjen e produkteve” thuhet në studim.

Kalimi nga hallka e mbledhësit tek grumbulluesi rrit fitimet për këtë të fundit në mënyrë të dukshme dhe studimi ka dalë në përfundimin se marzhi i fitimit është 25-35% mbi atë të mbledhësit.

“Shumë mbledhës ofrojnë boronica të egra, kërpudha dhe arra në pikat e vogla të grumbullimit ose direkt tek operatoret kryesore në zona të tilla.

Shqetësues është cilësia e ulët e produktit në periudhën pas vjeljes sepse çmimi ulet dhe një pjesë e produktit është hiqet pas përzgjedhjes.

Për shkak të mungesës së lidhjeve të tregut, njohurive të dobëta dhe kapitalit për të investuar pas vjeljes dhe përpunimit krijon vlerë të dobët të shtuar brenda fermës.

Pjesa më e madhe e produktit shitet i papërpunuar (në Pukë 93 % e produkteve)” thuhet në studim.

I njëjti analizon se përmirësimi teknologjik duke përpunuar produktin fillestar do të rriste dukshëm fitimin.

“Në 2019 eksporti i kërpudhave ishte me një çmim 7.3 euro për kg.

Volumi i eksportit ishte 21 ton. Baza për arritjen e konkurrencës në tregjet ndërkombëtare është përmirësimi teknik dhe i aspekteve teknologjike si dhe standardizimi dhe certifikimi.

Tregjet e brendshme bazohen në shitjen direkte. Për shkak të mungesës së njohurive pas vjeljes produkti shitet i freskët ose i thatë në paketime të vogla. Produkti i freskët shitet menjëherë informalitsht në restorantet e qytetit.

Përpunim do të rriste vlerën e shtuar pasi 7-10 kilogram kërpudha do të prodhonin 1 kg të thata dhe shitja me rreth 45 euro ndërkohë që në tregjet e huaj ky çmim është rreth 65 euro” thuhet në dokument./Monitor