AKTUALITET, 1 Shkurt 2022, 23:29

Gjashtë mafie ndërkombëtare ‘pushtojnë’ Ekuadorin/ Ku qëndron ajo shqiptare, lidhjet me organizatën kriminale ruse dhe atë aziatike në trafikun e kokainës

Gjashtë mafie ndërkombëtare ‘pushtojnë’

Gjashtë mafie ndërkombëtare kanë ‘pushtuar’ Ekuadorin. Ato veprojnë kryesisht në trafikun e kokainës, trafikun e armëve dhe qenieve njerëzore si dhe në pastrimin e parave të pista. Prania e këtyre organizatave kriminale është evidentuar vitet e fundit në Kolumbi, Ekuador dhe Peru, të cilat si pika strategjike të transportimit të kokainës drejt vendeve të Evropës kanë portet e Ekuadorit. 

Ndërkaq, agjentët antinarkotikë konfirmojnë këtë realitet dhe theksojnë se trafikantët e drogës si shqiptari i vrarë në Ekuador, Ergys Dashi janë emisarë të dërguar nga bosët e mafias për të menaxhuar rrugët, furnitorët dhe të gjithë logjistikën e transportit përmes të cilës bëhet edhe trafiku i kokainës. Gjithashtu, nga hetimet rezultoi se Dashi ishte një nga lidhjet më të fuqishme të mafias shqiptare dhe asaj ruse në Amerikën e Jugut. Në nëntorin e vitit 2020 një tjetër shqiptar, Adriatik Tresa u vra në Samborondón. InSight Crime mblodhi një pjesë të fakteve dhe në një raport të tijin shkruante se shqiptari Adriatik Tresa ishte pjesë e mafias evropiane dhe asaj aziatike.

Nga ana tjetër, policia Kolumbiane ka mbajtur raportime të rregullta  lidhur me këto organizata kriminale. Sipas hetuesve kolumbianë del në pah se nga fillimi i pandemisë, trafikantët kolumbianë të drogës e katërfishuan prodhimin e kokainës, gjë që hapi lidhje të reja me mafiozët nga të gjitha kontinentet. U rikuperuan aleanca të tjera që datojnë që nga vitet 1980 dhe 1990. Prandaj, Ekuadori luan një rol të rëndësishëm në dërgesën e drogës, pasi është një nga vendet transit për ngarkesat me kokainë. Madje policia ekuadoriane sekuestroi mbi 210 tonë drogë vitin e kaluar, shifra më e lartë në historinë e vendit. Organet e inteligjencës kanë zbuluar se pas këtyre dërgesave nuk qëndron vetëm mafia kolumbiane dhe ajo meksikane.

Organizatat kriminale nga Amerika Qendrore dhe Brazili figurojnë gjithashtu në këtë skemë. Sipas raporteve zyrtare të Rehabilitimit Social në Ekuador ka të paktën 3330 të huaj që vijnë nga shumë se 14 vende. Shumica janë arrestuar për krime të lidhura me drogën ose vepra të tjera kriminale. Në vitin 2021, Policia arrestoi anëtarë me peshë të mafias. Njëri prej tyre ishte Brayan Rodríguez, anëtar i dyshuar i kartelit meksikan Sinaloa, nëntorin e vitit të kaluar në Quito. Ai kërkohej nga Shtetet e Bashkuara dhe ekstradimi i tij u miratua më 13 janar. Agjentët kundër narkotikëve theksojnë se kapja e tij u krye nën monitorimin e inteligjencës në koordinim me Shtetet e Bashkuara. Sipas autoriteteve ekuadoriane, ka një tendencë në rritje për të përdorur portet e këtij vendi për të transportuar sasi të mëdha kokaine drejt Evropës, shkruan El Comercio. 

Vrasjet me pagesë dhe përplasja e përgjakshme mes bandave 

Prandaj, raportet ndërkombëtare tregojnë se këto organizata kanë edhe celula të dedikuara për vrasës me pagesë.  Në fakt, disa nga këto grupe të vogla janë vendosur në jug të qytetit. Mosmarrëveshjet për territoret ka bërë që dhuna të arrijë nivele të larta madje deri në atë masë sa në Guayaquil këtë muaj janë kryer shumë se 70 krime, dy herë më shumë se në janar të vitit 2021. Vrasjet e fundit në Los Guasmos, që lanë pesë të vdekur, ishin pasojë luftës së bandave të drogës të karteleve meksikane me ato evropiane.

Për këtë arsye, ka nisur një monitorim të rreptë policor në 28 zona të konsideruara kritike në Guayas. Një pjesë e strategjisë së sigurisë është forcimi i organeve të inteligjencës për të zbuluar lidhjet me drejtuesit e mafieve ndërkombëtare.

Trafiku i drogës dhe vrasjet me porosi nuk janë të vetmet fusha që mafiet ndërkombëtare operojnë në Ekuador. Policia ka raporte të rregullta për bandat në Evropë të cilat janë përfshirë në pastrim parash, kontrabandë emigrantësh dhe fajde.

Për shembull, tetorin e kaluar, agjentët në Manabí arrestuan dy shtetas rusë të cilët kërkoheshin nga Interpoli. Në Ekuador, të huajt kanë krijuar kompani pronash të paluajtshme me asete në Manta dhe Quito, me qëllim pastrimin e parave të pista.