AKTUALITET, 8 Prill 2025, 21:24

Këlliçi ironizon vizitën e Kallas: Tragjikomedi mes BE-së dhe Ramës, nuk ka Europë me këtë regjim

Këlliçi ironizon vizitën e Kallas: Tragjikomedi mes BE-së

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas vizitës në Tiranë të Shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas. Në një postim në Facebook, Këlliçi e ka cilësuar takimin si një “tragjikomedi”, duke vënë në dukje kontrastin e thellë mes mesazheve të Kallas dhe retorikës së kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, ndërsa Bashkimi Europian kërkon reforma të thella shtetformuese për të avancuar procesin e integrimit, Edi Rama përpiqet të gënjejë qytetarët me konceptin e “pasaportës europiane me mik”.

Këlliçi akuzon kryeministrin se udhëheq një regjim të ngritur mbi hajdutërinë e organizuar, në kundërshtim të plotë me vlerat që përfaqëson BE. Ai shton se vetë integrimi europian do të shënojë fundin politik të Ramës, ndaj dhe ky i fundit po përpiqet ta shtrembërojë atë.

“Qytetarët e dinë të vërtetën: me Edi Ramën nuk ka Europë, por vetëm korrupsion, shpopullim dhe keqqeverisje,” përfundon deklaratën e tij Këlliçi.