AKTUALITET, 11 Maj 2023, 22:42

"Kasaphanë urbane!"/ Arlind Qori: Pakti politikë-oligarki po shkatërron Tiranën dhe po na vret çdo ditë!

"Kasaphanë urbane!"/ Arlind Qori: Pakti politikë-oligarki po

Arlind Qori, kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës nga lëvizja "Bashkë", ishte i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku foli për problemet e mëdha që ka Tirana, lidhjet e politikës me oligarkinë, të cilat kanë ndikuar në shkatërrimin e kryeqytetit. 

"Kasaphana urbanistike. Në Tiranë është ndërtuar shumë, është ndërtuar keq, është zaptuar hapësira publike, janë zhdukur parqet, terrenet sportive, këndet e lojrave, janë ngushtuar trotuarët, në këtë kuptim Tirana është një qytet pa hapësirë. Kur ndërtohet kaq shumë, kur hapësira publike reduktohet, kur intensifikohet trafiku, të gjitha këto ndotin ajrin. Po lexoja një statistikë që thoshte se në Tiranë vdesin rreth 3 mijë qytetarë çdo vit nga ndotja e ajrit. Pra, ndërtimet pa kriter, trafiku, mungesa e gjelbërimit po na sëmurin.

Tirana ka më pak shkolla seç duhet të kishte. Një nga arsyet është se nuk ke ku gjen më terren. Nëse terrenin publik e jep për kullë, nuk ka më vend. Në Tiranë nuk ka ujë të pijshëm. Rrjeti i ri i kanalizimeve kushton shumë shtrenjtë edhe për shkak të kaosit urbanistik.

Në Tiranë është shumë shtrenjtë të banosh, ka vajtur metri katror 1200 euro mesatarisht. Një çift i shtresës së mesme nuk e përballon dot më për ta blerë.

Qiraja rritet nga viti në vit, pavarësisht se ndërtohet shumë. Kjo krijon dyshimin, se një pjesë e kapitalit investues vjen nga nëntoka kriminale dhe një pjesë e fuqisë blerëse vjen nga paratë kriminale dhe të korrupsionit.

Të gjitha problemet e qytetit lidhen me rolin uzurpator, tjetërsues, të oligarkisë ekonomike dhe burokracisë politike. Me kalimin e viteve, në Shqipëri duket se është bërë një pakt mes djajsh, midis elitës politike dhe këtij grupimi dominues ekonomik, 15-20 vetë. Të gjithë këta së bashku po e bëjnë qytetin gjithnjë e më pak të jetueshëm.
Një arsye më shumë për të ngritur zërin, është për t’u dhënë më shumë kurajo qytetarëve", tha ndër të tjera Qori.