TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Preç Zogaj, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka analizuar fjalimin e kryeministrit, ku ai i shpalli luftë korrupsionit pas 11 vite në qeverisje.
Zogaj tha se zyrtarët kanë vjedhur më shumë pas krijimit të SPAK, të nxitur nga aludimet se drejtësia kontrollohet nga Rama dhe se nuk do t'i gjejë gjë.
Ai tha se Rama ka një qeverisje propagandistike dhe gjithashtu ka sindromën e vitit zero.
"Është në vazhdën e demagogjisë që ka treguar Rama në raport me këtë dukuri të tmerrshme, korrupsionin. Fjalimin e tij, mendoj se e shpjegon para së gjithash, përballja e Ramës dhe e qeverisë së tij me një fakt të pamohueshëm, korrupsioni kapilar i shumëfishuar në të gjithë piramidën e Shqipërisë, pas ngritjes së SPAK. Pra këta i kanë futur marshin e pestë, kanë shkelur gazin dhe e tregojnë faktet që kanë dalë dhe po dalin, raportet e DASH, hetimet e SPAK, sidomos në Bashkinë e Tiranës. Publiku ballafaqohet me një të vërtetë të pabesueshme, që kanë vjedhur më shumë pasi u ngrit instrumenti që do t’ju fuste frikën deri në palcë.
Enigma, kërkon shpjegim, si ka mundësi? Mirë zyrtarët e mëparshëm, por kanë bërë korrupsion, kur korrupsioni garantohej nga pandëshkueshmëria në sistem. A u ngrit SPAK në kontekstin e një retorike që tani merr fund korrupsioni? Analiza e kësaj enigma, na çon në disa përfundime, që administrate e Ramës, ka menduar që SPAK do të kapë palën tjetër, sepse ne jemi të garantuar se drejtësinë e ka shefi ynë. Ka ndihmuar edhe retorika e opozitës dhe disa analistëve, që kanë thënë SPAK e ka në dorë Rama. E kanë besuar dhe i kanë rënë me top. Kanë rënë brenda si gallofë në këtë histori.
Por, më e madhja është qeverisja propagandistike. Ne nuk jemi prokurorë, secili i qaset korrupsionit me mjetet e dijes dhe fushës ku vepron. Prokuroria me prova, media me investigim, etj. Korrupsioni madhor është në natyrën e qeverisjes propagandistike. Është pjesë e pandashme e qeverisjes propagandistike, e cila përfaqëson habitatin ku rritet korrupsioni në administratë. Në fjalimin e Ramës, kjo del në pah, është fjalim që tregon një mendje të formatuar nga një qasja vetëm propagandistike.
Ku shfaqet kjo qeverisje propagandistike? Shfaqet me sindromën e vitit zero. Sa më shumë i largohesh qeverisjes së mëparshme, aq më e zezë dilte ajo. Kur Rama flet për qeverisjet e zeza të mëparshme, duket sikur nga viti 2013 e më parë, në Shqipëri në Vlorë shkohej me kalë, pra nuk kishte as rrugë, asgjë.
Një element tjetër, është qasja që ka një qeveri ndaj kritikës. Këta kanë themeluar një retorikë, edhe Rama edhe Veliaj, që është tipike leniniste dhe enveriste. Kush kritikon e ka nga smira, i vret sytë suksesi, pastaj nxjerrin thonjtë dhe sulmojnë. Pra del ai dhe thotë kemi punën, fshesën, çekiçin, lopatën dhe ata kanë fjalën. Çfarë bën kjo qasje? Kjo vret llogaridhënien", tha Zogaj.