AKTUALITET, 27 Qershor 2023, 11:41

"Kam qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të Bashës", Gjergj Hani prezantohet si kandidat për kryetar të PD-së

"Kam qenë një nga mbështetësit më të
Fotomontazh: Basha dhe Hani

Kandidati për postin e kreut të Partisë Demokratike, Gjergj Hani, prezantoi sot projektin e tij për drejtimin e së djathtës.

Në një konferencë për mediat Hani tha se ka qenë një mbështetës i kandidatit tjetër në garë, Lulzim Basha, mirëpo me rikthimin e tij ai tregoi se sërish nuk kishte premisa të qarta për drejtimin e të djathtëve.

Ai tha se ai është alternativë, jo se është Gjergji Hani, por idetë që do të sjellë për demokratët. Sipas Hanit duhet një hapje e madhe e Partisë Demokratike, jo në teori por në praktikë, duke afruar demokratët edhe nga diaspora si dhe anëtarësia në PD të ulet nën moshën 16 vjeç.

 “Kam qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të Bashës dhe prisja që rikthimi i tij në skenën politike, do e pranoja nëse do të vinte me premisa të qarta mbi atë që ndan PD-në nga Sali Berisha. Cilat ishin mënyrat që ai do të përdorte për rindërtimin e PD-së për ta shkëputur nga partia e pazareve të pushtetit apo nga partia e liderit.

Isha i bindur që Basha do të kthehej me këto premisa. Kthimi i tij u ndërtua mbi bazë demagogjie populiste. E ndjeva si një sfidë personale me ata 104 mijë demokratë dhe mora përsipër që të sjell para shqiptarëve e demokratëve zërin e atyre që shkuan të votojnë duke e ditur fare mirë se do të humbisni. Unë jam një alternativë. Alternativa ndryshon sepse nuk është Gjergji por ideja që do të sjellë Gjergji për demokratët.

Duhet një hapje e madhe e PD-së, jo në teori, por në praktikë. Të rifreskojmë burimet njerëzore përfshirë edhe prurje nga diaspora. Kryetari i partisë të krijojë qeverinë e tij në hije. Anëtarësia në PD të ulet nën moshën 16 vjeç”, tha Hani.