AKTUALITET, 26 Qershor 2023, 23:23

“Lul Basha do të fitojë sepse ka pjesën antiberishiste”, debati Godole-Mërtiri për dy grupet në PD

“Lul Basha do të fitojë sepse ka pjesën
Fotomontazh: Godole dhe Mërtiri

Anëtarja e kryesisë së PD-së, Jonida Godole, debatoi në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” me analistin dhe sociologun Ergys Mërtiri për përplasjen mes dy palëve në PD-në e Vulës. Ndërsa Godole tha se anëtarësia kërkon një alternativë përtej Berishës dhe Bashës për një PD fituese, Mërtiri tha se grupi që ka dalë kundër Bashës nuk e do garën sepse nuk fitojnë, ndërsa ai do të fitojë sepse pjesa antiberishiste e PD-së është me të.

Debati në studio

Jonila Godole: Unë do të doja që këta deputetë kritikë me Bashën duhet të krijonin një fraksion brenda PD-së për të treguar se sa farsë është procesi për kryetarin.

Ergys Mërtiri: Ky grupi që ka dalë kundër në PD ishte te dreka e Berishës për Vitin e Ri dhe ishte më pas kundër daljes me kandidatura në 61 bashki. Ky grup sot thotë që të shtyjmë edhe një vit reflektimin dhe pastaj të zgjedhim kryetarin dhe kjo i shërben vetëm Berishës. Ata thonë të bashkohemi me Foltoren dhe nxjerrin si klauzolë pa Berishën dhe pa Bashën. Mua më duket që hajde ta çojmë PD-në në prehrin e Berishës, sepse vetëm ai fiton nga kjo situatë. Kemi dy palë: Njëra që do të bëjë një garë ashtu çalë-çalë, siç bëhen garat në Shqipëri dhe palën tjetër që nuk do të bëjë garë fare. Këta nuk e duan garën sepse nuk fitojnë. Pse e dimë ne që do të fitojë Lul Basha? Sepse e dimë që pjesa antiberishiste e PD-së është me Lul Bashën dhe jo me këta që thonë hajde bashkohemi me Berishën.

Jonila Godole: Kam frikë se je krejtësisht gabim pasi anëtarësia e PD-së kërkon që ajo të jetë fituese dhe kund të jetë e tillë me një alternativë përtej njërit lider dhe tjetrit. Kjo është ajo që mendon anëtarësia dhe jo strukturat që janë të emëruara.

Ergys Mërtiri: Ky grup meqë nuk e mund dot Bashën me zgjedhje aty brenda, brenda kësaj kolibes së vogël, atëherë ça të bëjmë ne: nuk bëjmë garë. Procesi është marrë nga kryesia, është votuar nga Këshilli Kombëtar dhe këta thonë: nuk njohim zgjedhjet.