AKTUALITET, 23 Qershor 2025, 21:30

“Ndryshim regjimi me bombardime nuk ka”, Preç Zogaj flet për sulmin e SHBA-ve ndaj Iranit

“Ndryshim regjimi me bombardime nuk ka”, Preç Zogaj flet

Analisti Preç Zogaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV u shpreh se synimi i shpallur i bombardimit të Iranit ishte që ndalonte prodhimin e bombës bërthamore dhe në këtë qëndrim SHBA kanë edhe mbështetjen e vendeve të Evropës. Por sipas Zogajt, ndryshim regjimi me bombardime nuk ndodh.

“Irani ka shumë vite që merret me pasurimin e uraniumit dhe ky është konflikti mes Iranit dhe vendeve perëndimore. Informacionet kanë qenë kontradiktore, por drejtori i Agjencisë Bërthamore ka bërë një njoftim ku tha se janë tre vite larg prodhimit të bombës bërthamore, edhe pse vazhdojnë të pasurojnë uraniumin.

Irani është shtet i mbyllur dhe shumë misione investigative nuk kanë patur mundësi të mësojnë se si është e vërtetë. Por Irani e ka prodhimin e bombës bërthamore synim të vetin.

Synimi i shpallur i bombardimi ishte që të ndalonte prodhimin e bombës bërthamore nga Irani. Në këtë qëndrim SHBA kanë edhe mbështetjen e vendeve të Evropës sepse edhe ato e kërkojnë që të mos ketë bombën, ngaqë është sponsor i terrorizmit.

Irani ka në doktrinë zhdukjen e Izraelit. Deri këtu SHBA-të kanë patur një qëllim, por ata deri këtu e kanë patur, kanë pritur çdo të bëjë Irani. Ndryshim regjimi me bombardime nuk ndodh”- tha Zogaj.